Denoncon profesor Smaka: Fusnota e Edita Tahirit dhe Hashim Thaçit, kjo shkelje e rëndë e pa ndëshkuar e kushtetutës së shtetit të Kosovës

  • 22 May 2020 - 07:04
Denoncon profesor Smaka: Fusnota e Edita Tahirit dhe Hashim Thaçit, kjo shkelje e rëndë e pa ndëshkuar e kushtetutës së shtetit të Kosovës

 “Fusnotimi i emërtimit të vendit tonë, për ironi sarkastike e groteske nga ish ministresha z. Editë Tahiri, vlerësohej “rezultat”, natyrisht, rezultat tejet i dobët, damkosës, nëpërkëmbës dhe mbi të gjitha antikushtetues. U mor vesh se, për t’u fusnotuar definimi i emërtimit nga neni 1 par. 1 i Kushtetutës, paraprakisht do të nevojitej amendamentimi i po asaj dispozite në procedurë legjislative, gjë që nuk ka qenë bërë dot! Fusnotimi përkatësisht modifikimi i tillë i dispozitës së nenit 1 të Kushtetutës, në asnjë rrethanë, nuk do të mund të cilësohej ndryshe pos si shkelje e rëndë e Kushtetutës”, thotë prof. dr. Riza Smaka.

Image
Riza Smaka

Kosova po mbushë tetë vite të plota që kurse gjatë prezantimeve të veta në nisma regjionale e ndërkombëtare përveç prezantimit me emrin e vetë, vazhdon të shënohet dhe veçohet me fusnotë, e cila është vendosur si kusht nga ana e palës serbe. Qeveria e Kosovës, aso kohe është pajtuar që Kosova të përfaqësohet me emrin e saj dhe me një fusnotë, një interpretim që nënkupton Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe çështjen e mbetur pezull të zgjidhjes raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo fusnotë ishte premtuar se do të zhbëhej për një kohë të shkurtës, por jo që nuk u zhbë akoma, por paraqet problem serioz dhe paragjykon edhe statusin e shtetit të Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

Profesori i së drejtës Riza Smaka e konsideron etiketimin e shtetit të Kosovës me këtë fusnotë si një nga shkeljet më të rënda të Kushtetutës që janë shkaktuar nga vetë drejtuesit e shtetit, dhe askush nuk është ndëshkuar për këtë shkelje, e për më keq, kjo vazhdon të jetë në fuqi dhe nuk ka një përkufizim kohor se deri kur do të zgjas kështu, edhe për sa kohë do të vazhdon ti vuan Kosova pasojat në planin ndërkombëtar, nga mohimi identitetit të saj si shet i pa varur për shkak të fusnotës historike me të cilën u damkos në mandatin e parë të kryeministrit Hashim Thaçi, dhe zëvendëses së tij, krye negociatores Edita Tahiri. Madje ministri i Jashtëm në detyrë Glauk Konjufca po i sheh si shumë serioze pasojat e dëmshme që po u kushtojnë shtetit të Kosovës gjatë përfaqësimin me fusnotë në organizata rajonale e ndërkombëtare, në shumë të tilla edhe me pamundësi të pjesëmarrjes. Këtë shqetësim Konjufca e ngriti gjatë pjesëmarrjes virtual në Forumin e Dytë Ministror të Selanikut, që u organizua në formë virtuale nga Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Nikos Dendias dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov. Konjufca ka kërkuar heqjen e fusnotës, duke deklaruar se:“Fusnota paraqet një mënyrë të vjetruar për të përfaqësuar Republikën e Kosovës. Fusnota ishte menduar si një formë e thyerjes së akullit midis dy palëve në forume rajonale. Tani takimet e përbashkëta rajonale, në të cilat Kosova dhe Serbia marrin pjesë së bashku, janë bërë rutinore. Fusnota tashmë është tejkaluar”, ka thënë Glauk Konjufca. E profesor Smaka thekson se fusnota në emrin e Kosovës është emblema e pa shlyeshme e një udhëheqje të dështuar të dialogut të emërtuar teknik por që doli të jetë pa prapavijë të plotë politike dhe pasoja të pa riparueshme për faktin se fusnota minimizon pavarësinë e Kosovës dhe rikujton rezolutën 1244 dhe çështjen e pa zgjidhur mes të Kosovës dhe Serbisë sa i takon sovranitetit të saj të plotë.

“Fusnota e Edita Tahirit është në kundërshtim me nenin 1 të Kushtetutës. Me dispozitën e nenit 1 par. 1 të Kushtetutës, Republika e Kosovës është definuar shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm. Z. Editë Tahiri, gjatë drejtimit, kryesisht, të dobët dhe inferior dhe të pa reciprocitet në disfavor të vendit tonë, të delagacionit të Kosovës në dialogun me atë të Serbisë, ndër të tjera, ka pas pranuar që, teksti i definimit të shtetit tonë me dispozitën e sipër thënë, të “begatohet” me shenjën e fusnotës, ndryshe të pa parë, të pa dëgjuar dhe të pa shembull gjatë historisë së shtetit dhe të drejtës”, thotë Profesori i së drejtës, ish anëtar i komisionit për hartimin e Kushtetutës, profesori Riza Smaka.


Për më tepër, sipas profesorit Smaka, qytetarët e pa informuar mirë janë mashtruar aso kohe nga qeveritarët që e kanë pranuar fusnotën. Duke e trumbetuar atë si një rezultat të madh të arritur në bisedimet me Serbinë. “Fusnotimi i emërtimit të vendit tonë, për ironi sarkastike e groteske nga ish ministresha z. Editë Tahiri, vlerësohej “rezultat”, natyrisht, rezultat tejet i dobët, damkosës, nëpërkëmbës dhe mbi të gjitha antikushtetues. U mor vesh se, për t’u fusnotuar definimi i emërtimit nga neni 1 par. 1 i Kushtetutës, paraprakisht do të nevojitej amendamentimi i po asaj dispozite në procedurë legjislative, gjë që nuk ka qenë bërë dot! Fusnotimi përkatësisht modifikimi i tillë i dispozitës së nenit 1 të Kushtetutës, në asnjë rrethanë, nuk do të mund të cilësohej ndryshe pos si shkelje e rëndë e Kushtetutës”, thotë prof. dr. Riza Smaka.

Mirëpo sipas Riza Smakës, nuk është fusnota rast i vetëm skandaloz i shkeljes së rëndë të Kushtetutës nga ana e vetë pushtetarëve dhe pushtet mbajtësve, pasi që sipas tij gjatë 12 viteve të kaluara janë evidentuar hiq më pak se 24 shkelje, shpërfillje të Kushtetutës por që kryesisht kanë kaluar pa pasoja ndëshkimore.

“Në shtetet e së drejtës me tradita demokratike e me kulturë juridike të sublimuar , kushtetuta përfillet me përkushtim, në një anë dhe, çfarë do shpërfilljeje e saj, ndëshkohet përkatësisht pa asnjë farë përjashtimit, në anën tjetër. Ndërkaq, në shtetet. në të cilat nuk zbatohet ligji në fuqi apo implementohet sipas kritereve selektive e favorizuese, Kushtetuta shpërfillet, kryesisht, nga pushtetarë arrogantë e të pa përgjegjshëm. Për të qenë edhe më keq, shpërfilljet e Kushtetutës, të cilat nuk cilësohen shtete të së drejtës, aktorët e shkeljeve të Kushtetutës, zakonisht, nuk ndëshkohen! Vendi ynë , mund të karakterizohet shtet, në të cilin, Kushtetuta , nuk përfillet sa dhe sikundër kërkohet, në të cilin , e njëjta shkelet edhe nga titullarë të institucioneve të thirrura për përfilljen, zbatimin dhe implementimin e saj, në një anë dhe , jo rrallë herë, të njëjtit, nuk i nënshtrohen përgjegjësisë, në anën tjetër”, thekson profesor Smaka.

(Kosova Sot Online)