Kadri Veseli thotë se do të angazhohet për themelimin e Tribunalit për dënimin e krimeve serbe

  • 26 May 2020 - 13:44
Kadri Veseli thotë se do të angazhohet për themelimin e Tribunalit për dënimin e krimeve serbe

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka përkujtuar gjenocidin e 26 majit të 1999-të në “Lagjen e Trimave” në Prizren, ku u vranë 27 civilë shqiptarë.

Siç shkroi Veseli, kjo ishte hakmarrje e egër  e forcave serbe ndaj kësaj lagjeje dhe fshatrave të Vërrinit të Opojës.

Veseli po ashtu ka thënë se ai nuk do të ndalet në angazhimin e tij për krijimin e Tribunalit për dënimin e krimeve të Serbisë që janë kryer në Kosovë.

Postimi i plotë i Veselit:

26 Maji i vitit 1999, u kthye në tragjedi për popullin tonë në “Lagjen e Trimave” të Prizrenit. Forcat serbe vranë e masakruan 27 civilë shqiptarë të cilët kishin vendosur të mos largohen nga shtëpitë e tyre kur mijëra të tjerë po dëboheshin drejt Shqipërisë.

Vrasja e tyre 21 vite më parë ishte hakmarrje e egër e forcave serbe ndaj kësaj lagje dhe fshatrave të Vërrinit e Opojës të cilët ishin baza të UÇK-së gjatë luftës çlirimtare kundër Serbisë. Djemtë dhe vajzat e kësaj lagje ishin luftëtarët më të mirë e trima të UÇK-së.

Unë nuk do të ndalem në angazhimin tim për të themeluar Tribunalin për dënimin e krimeve serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ne nuk duhet të pushojmë së punuari për të vënë para drejtësisë të gjithë kriminelët serb që masakruan qytetarët tanë të pafajshëm. 

(Kosova Sot Online)