Prokuroria deklarohet për akuzat e Thaçit se Kurti, Sveçla e Abazi kanë hyrë në dhomën e Përgjimeve në Telekom

  • 28 May 2020 - 14:03
Prokuroria deklarohet për akuzat e Thaçit se Kurti, Sveçla e Abazi kanë hyrë në dhomën e Përgjimeve në Telekom

Prokuroria e shtetit është aktivizuar pas deklaratës që mbrëmë e dha presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për kreun e qeverisë në detyrë, Albin Kurtin dhe dy vartësit e tij, Haki Abazin dhe Xhelal Sveclën. Nga Prokuroria Speciale kanë deklaruar se janë në fazën e grumbullimit të informatave për të vërtetuar nëse ekzistojnë elemente të veprës penale.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi mbrëmë ka deklaruar se për tri ditë me radhë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me zëvendësin e tij, Haki Abazin e u.d e detyrës së Ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveclës kanë qëndruar në dhomën e përgjimeve në PTK.

“Albin Kurti, Haki Abazi dhe Xhelal Svecla, kanë vizituar dhomën e përgjimeve dhe kanë kryer vepër penale, duke i ndalur kamerat. Ata aty kanë qëndruar për tri ditë”, tha mbrëmë Thaçi.

Për këtë deklaratë të presidentit ka folur sot kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Sipas tij, kjo dekalratë e presidentit është gënjeshtër, e me këtë temë ai ka kërkuar që të merret prokuroria e shtetit.

Në një përgjigje  Ekrem Lutfiu, Zëdhënës në Prokurorinë Speciale të Kosovës ka deklaruar se janë në fazën e grumbullimit të informacioneve për të parë nëse ekzistojnë elemente të veprës penale.

“Ju njoftoj se Prokurori i Shtetit është në fazën e grumbullimit të informatave për të vërtetuar nëse ekzistojnë elementet e veprës penale, që ndiqet sipas detyrës zyrtare”, ka deklaruar Lutfiu.

Lidhur me deklaratën e presidentit, sot nuk ka dashur të flasë Svecla, kur është pyetur nga mediat.

(Kosova Sot Online)