Vizitat për Bajram shtojnë rastet me Covid-19 në Vushtrri

  • 01 qershor 2020 - 22:04
 Vizitat për Bajram shtojnë rastet me Covid-19 në Vushtrri

Gjatë 24 orëve të fundit në vend rezultuan 27 raste pozitive mes tyre 14 ishin nga komuna e Vushtrrisë.

Të gjitha rastet e reja janë raste kontakti të familjeve të ndërlidhura mes vete dhe që janë shkaktuar si rezultat i vizitave për festën e Fitër Bajramit pasi nuk e kanë ditur që janë të infektuar me Covid-19.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në një postim në Facebook deklaroi se mbyllja e qytetit sërish nuk është opsion pasi situata për kundër numrit të rritur është e menaxhueshme.

Tahiri mes tjerash apeloi qytetarët për kujdes dhe tregoi se të gjitha familjet e prekura janë nën kujdesin e Shtabit Emergjent Komunal dhe se gjenden në vetizolim.

Statusi i plotë i Tahirit:

Të dashur qytetarë të Vushtrrisë

Sot më 01 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë konfirmuar 14 raste me Covid19 nga Komuna e Vushtrrisë (sipas vendbanimit: 5 raste Ceceli, 4 raste Vushtrri, 4 raste Mihaliq dhe 1 rast Bajskë).

Të gjitha janë raste kontakti, të ndërlidhura familjarisht ose tërthorazi në mes veti dhe që janë shkaktuar kryesisht si rezultat i lëvizjeve të pakontrolluara gjatë festës që sapo e kaluam sepse nuk e kanë ditur që janë të infektuar me Covid.

Për ne dhe për ju kjo betejë është rraskapitëse, çdo hapje që kemi bërë në interes të mirëqenies së qytetarëve bartë edhe rrezikun me vete sepse virusi është ende në mesin tonë.

Mbyllja e qytetit sërish nuk është opcion. Situata për kundër numrit të rritur është e menaxhuashme. Secili qytetar është përgjegjës për vehtën dhe familjen e tij.

Ju lutemi KUJDES. Ruajeni vehtën e familjen tuaj dhe qytetin tonë nga Coronavirus.

Të gjitha familjet e prekura janë në kujdes të Shtabit Emergjent Komunal dhe janë në vetizolim.

Ju faleminderit për mirëkuptim!

(Kosova Sot Online)