Çfarë i dallon Kurtin dhe Hotin?

  • 03 qershor 2020 - 07:43
Çfarë i dallon Kurtin dhe Hotin?

Sot në ora 11:00 do të fillojë seanca e Kuvendit të Kosovës ku pritet të votohet qeveria e propozuar nga mandatari i ri për kryeministër që vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti.

Por cili është dallimi midis “kryeministrit në ikje” dhe “kryeministrit në ardhje”?

Kryeministri i tanishëm në detyrë, Albin Kurti është i njohur për qëndrimet e tij strikte ideologjike dhe për diskursin e tij politik të ndërtuar mbi tema të mëdha si Bashkimi Kombëtar, refuzimi i himnit dhe flamurit të Kosovës deri në momentin kur u bë kryeministër dhe të ngjashme.

E në anën tjetër, Avdullah Hoti është profesor i ekonomisë, ish-ministër i Financave, një politikan i cili portretizohet si një menaxher i mirë i ekonomisë dhe agjendave politike.

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri në një deklaratë për lajmi.net ka thënë se Avdullah Hoti nuk është politikan por teknokrat.

Tahiri e përkufizon Hotin si një administrator të ekonomisë, i cili as nuk di dhe as nuk do të ketë ideologji dhe politikë, si person që nuk flet për tema të mëdha politike, sisteme politike e teori politike.

Ai më tutje e përkufizon Hotin si njeri i cili do të merret vetëm me programin e tij politik dhe do të komunikojë vetëm me Kuvendin e Kosovës pa hyrë në debate politike me parti të tjera dhe partinë e tij.

“Avdullah Hoti nuk është politikan, është teknokrat, do të thotë është administrator i ekonomisë, i cili as nuk din e as nuk don politikë dhe nuk ka ideologji, nuk flet tema të mëdha politike, sisteme politike, teori politike, nuk flet për temat politike, ai flet për tema ekonomike, të administrimit por edhe tema teknike – praktike dhe do të kemi për herë të parë një kryeministër i cili flet vetëm për program qeverisës dhe temat e përditshme, nuk do të kemi ideolog, nuk pretendon se është ideolog, nuk konfrontohet me parti të tjera dhe partinë e tij, thjesht komunikon me Kuvendin dhe nuk merr pjesë në debate politike”, tha Tahiri.

Tahiri shton se Hoti do të jetë bashkëpunëtor i madh i SHBA-ve dhe BE-së dhe do të bëjë bisedime teknike, ndërsa ai e sheh se marrëveshjen do ta nënshkruajë presidenti i Kosovës.

“Më shumë ose më pak nuk e di se çfarë do të nënkuptohet, por në kuptim do t’i dëgjojë SHBA-të dhe BE-në në kuptimin që do të bëjë bisedime teknike, ndërsa marrëveshjen unë besojë se do ta bëjë presidenti dhe do ta votojë Kuvendi”, tha Tahiri më tutje.

E për punën e Hotit si kryeministër mbetet të flitet vetëm pas seancës së nesërme ku pritet të votohet qeveria e tij.

(Kosova Sot Online)