Thaçi pas vendimit për heqjen e reciprocitetit: Serbia s’ka pretekst për t’i ikur dialogut

  • 08 June 2020 - 11:44
 Thaçi pas vendimit për heqjen e reciprocitetit: Serbia s’ka pretekst për t’i ikur dialogut

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur para mediave pas vendimit të Qeverisë në krye me Avdullah Hotin për heqjen e reciprocitetit me Serbinë.

Thaçi tha se tashmë është hequr çdo pretekst që ka shfrytëzuar Serbia për t’i ikur dialogut me Kosovën.

“Si president, shpreh mirënjohjen dhe jam i inkurajuar për heqjen e çdo preteksti që Serbia e ka shfrytëzuar për t’i ikur dialogut, Kosova e ka të qartë se çfarë kërkon në dialog. Mbi të gjitha Kosova në këtë proces është bashkë me SHBA’në dhe të gjithë aleatët e tjerë. Nuk kemi çka të hezitojmë është një rrugëtim i sigurtë që ky rrugëtim do të përmbyllet sipas vullnetit të qytetarëve, duhet të lëvizim sa më shpejtë që të jemi pjesë e NATO’s dhe BE’së që ta konsolidojmë shtetin në rrafshin dhe ndërkombëtar. Kosova është gati, do të punojmë që të jemi sa më unik dhe të bashkuar që të plotësojmë njëri tjetrin, vetëm koordinimi garanton sukses të plotë. Ky unitet lehtëson edhe punën e partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Presidenti shtoi se Kosova duhet të punojë për implementimin e marrëveshjeve të arritura në këtë vit, derisa, ka përmendur zhbllokimin e fondeve të MCC’së pas heqjes së masës së reciprocitetit. 

“Kosova do të punojë për implementimin e marrëveshjeve të arritura në fillim të këtij viti. Dëshiroj të potencoj që vendimet e Qeverisë u pasuan me veprimet e SHBA’së aleatit tonë kryesor, u zhbllokuan fondet e MCC’së. Në këto projekte është edhe shkollimi i shumë vajzave në Amerikë. Bursat që u patën ndalë tani do t’i marrin përsëri. Dëshiroj të potencoj se vendimet e fundit që sollën këto të arritura dëshmuan që ne nuk duhet të vonohemi, se duhet të marrim vendime strategjike, e  u dëshmua që kauzat populiste, taksa, reciprociteti dhe demarkacioni janë të rrejshme dhe të dëmshme për shtetin e Kosovës, këto veprime i kushtuan Kosovës sepse humbëm 3-4 vite, u shkaktua një dëm edhe institucioneve të vendit, por edhe imazhit të vendit në rrafshin ndërkombëtar. SHBA’të do të mbesin shumë të përkushtuara që të ecim përpara, Kosova nuk duhet të ketë asnjë dilemë që të lëvizim drejtë NATO’s dhe BE’së.

Si Kosovë të gjitha të arriturat i kemi si rrjedhojë e SHBA’së. Prandaj, vetëm ruajtja e këtij partneriteti garanton një të ardhme të sigurt”, shtoi ai, derisa ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuese të BE’së e SHBA’së për dialogun.

“Si president i vendit jam të kontakt të vazhdueshëm me përfaqësues të BE’së e posqarësiht me ata të shtetve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

(Kosova Sot Online)