Objekti i Shtabit të UÇK’së në Shalë drejt shkatërrimit

  • 12 June 2020 - 23:04
 Objekti i Shtabit të UÇK’së në Shalë drejt shkatërrimit

Përkujdesja për objektin mungon, udhëheqësit e shtabit bëjnë thirrje për rinovimin e tij

Në vitin 1979 u ndërtua shkolla “Qazim Bajgora”, e cila më vonë do të shndërrohej në kazermë ushtarake ku do të qëndronin Brigada e Shalës, dhe Brigada e Llapit.

Muret e këtij objekti të japin ndjenjën se gjithçka mund të rrënohet brenda pak sekondash, por kujtesa e ngjarjeve që kanë përjetuar, është çka i lidh ish ushtarët e UÇK-së me këtë objekt.

Nëpër këto dyer e këto korridore kanë kaluar mbi 1.200 ushtarë të Zonës së Shalës, ku më vonë ky vend do t’i priste edhe ushtarët e Zonës së Llapit.

Ky objekt i cili është dëshmitar i shumeë ngjarjeve gjatë luftës, ështëë shfrytëzuar për shumëçka.

Në katin e parë, atë kohë ka qenë një depo e armatimeve, kuzhina ku ushtarët hanin vaktet e bukës, e që për dikë ishte i fundit.

Po ashtu, në këtë kat kanë qenë edhe zyrat e eprorëve të ushtarëve.

Ndërsa, në katin e dytë kanë qenë dhomat e ushtarëve. Në një dhomë kanë bërë gjumë 10 ushtarë.

Mustaf Ibishi, i cili në atë kohë ka qenë vetëm 18 vjeç, i ka takuar Njësisë Speciale të Brigadës. Edhe pse i ri në moshë, dashuria e madhe për vendin ka bërë që ai të mos dorëzohet.

Tash pas 2 dekadave, ai rrëfen se si për një kohë të gjatë nuk e kishte takuar fare familjen.

Në këtë vend ku janë ndeshur dhimbja e shpresa, janë parë edhe vuajtjet e ushtarëve për humbjen e të afërmve e shokëve të tyre.

Në këtë hapësirë gjeografike e zhvilloi aktivitetin luftarak Zona Operative e Shalës, e cila kufizohej me Zonën Operative të Drenicës dhe Zonën Operative të Llapit.

Rrëfimet mbeten dëshmia e gjallë e asaj që populli i Kosovës ka përjetuar gjatë luftës. Emocioni është pjesë e pashmangshme e secilit që i ka jetuar ato ditë.

(Kosova Sot Online)