Hoti diskuton me drejtuesit e OEK dhe OEAK për sfidat e sektorit privat gjatë pandemisë

  • E.K /
  • 30 June 2020 - 15:47
 Hoti diskuton me drejtuesit e OEK dhe OEAK për sfidat e sektorit privat gjatë pandemisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti takoi sot kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi dhe drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka për të diskutuar lidhur me programin e rimëkëmbjes ekonomike.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga OEK.

“Hoti njoftoi drejtuesit e dy odave ekonomike lidhur me aktivitetet që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës me qëllim të zbatimit të masave nga Pakoja Emergjente Fiskale si dhe përgatitjet për zbatimin e masave tashmë të aprovuara nga Pakoja e Rimëkëmbjes”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, është bërë e ditur se në këtë takim është diskutuar edhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet sektori privat në vend si pasojë e pandemisë.

“Gjatë takimit u diskutua edhe lidhur me sfidat me të cilat po ballafaqohet sektori privat në Kosovë pas shpërthimit të pandemisë si dhe nevojën e dinamizimit të komunikimit dhe bashkërendimit të veprimeve me qëllim të tejkalimit të situatës aktuale në të cilën ndodhet sektori privat dhe ekonomia e vendit”, thekson komunikata.

(Kosova Sot Online)