OVL e UÇK’së organizon protestë më 9 korrik, kërkon shfuqizimin e Gjykatës Speciale

  • G.G /
  • 02 July 2020 - 13:43
OVL e UÇK’së organizon protestë më 9 korrik, kërkon shfuqizimin e Gjykatës Speciale

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK’së ka paralajmëruar protestë më 9 korrik në Prishtinë.

Përmes një komunikate për media, OVL-UÇK ka thënë se pas takimit të mbajtur mes kësaj organizate dhe Shoqatës së të Burgosurve Politik kanë ardhur në përfundim që më 9 korrik të organizojnë protestë gjithëpopullore në Prishtinë.

“Mbahet protestë gjithëpopullore në Prishtinë me datën 9 korrik 2020 me moton: “Në mbrojtje të Luftës Çlirimtare”, thuhet në njoftim.

Tutje OVL-UÇK ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të ndryshojë ligjin për Gjykatën Speciale.

“Ngritja e kësaj aktakuze është bërë me qëllim të caktuar, e sidomos për ta penguar procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Të kërkohet nga Kuvendi i Kosovës që ta ndryshoj ligjin për gjykatën speciale, për arsye se duhet të gjykohen të gjitha krimet dhe gjenocidi i kryer nga Serbia në Kosovë”, thuhet në komunikatë. 

(Kosova Sot Online)