Vuçiq: Është radha e të tjerëve të propozojnë ide për zgjidhjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë

  • G.G /
  • 04 korrik 2020 - 12:13
 Vuçiq: Është radha e të tjerëve të propozojnë ide për zgjidhjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, në një intervistë përEU Confidential të Politico’s, ka folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe rreth idesë së propozuar për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve që dështoi.

Vuçiq thotë se tashmë është i gatshëm që të dëgjojë të gjitha propozimet potenciale që mund të vijnë nga çdo kush, por thotë se ato s’mund të jenë të tilla ku Serbia humbet gjithçka dhe në anën tjetër Kosova i fiton të gjitha.

“Jam i gatshëm të diskutoj të gjitha propozimet që mund të vijnë nga çdo kush. Por s’mund të jenë të tilla, që ne humbim gjithçka dhe ata fitojnë gjithçka”, ka thënë Vuçiq.

Ai thotë se si president i Serbisë ka bërë më të mirën e tij, por thotë se nuk ka funksionuar. Si rezultat ti kësaj, Vuçiq thotë se tashmë është radha e të tjerëve që të propozojnë ide për zgjidhjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kreu i shtetit serb thotë se në të kaluarën kishte provuar të vendoste ide në tavolinë me të cilat kishte rrezikuar edhe veten politikisht, por thotë se kishte dështuar. Prandaj tashmë thotë se po pret propozime.

“Unë e bëra më të mirën time, dhe nuk funksionoi. Ishte shumë e rrezikshme për mua politikisht, por megjithatë isha i sinqertë. Tani është radha juaj, unë po pres”, ka thënë Vuçiq.

I pyetur rreth takimit të Washingtonit, Vuçiq ka thënë se është i gatshëm që të udhëtojë drejt Amerikës kurdo që ftohet, dhe se nuk është aq i papërgjegjshëm që të mos iu përgjigjet thirrjeve të Shtëpisë së Bardhë apo zyrtarëve të lartë amerikanë.

“Kurdo që të më ftojnë. Si një djal i vogël nga Ballkani refuzon të flas me dikë nga Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarë të lartë amerikanë. Nuk jam aq i papërgjegjshëm”, ka thënë presidenti serb.

Megjithatë thotë se dialogu politik duhet të drejtohet nga Bashkimi Evropian, pasi sipas tij një gjë të tillë e ka përcaktuar Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe ka një bazë ligjore për një gjë të tillë.

“Unë gjithmonë kam insistuar në dialog politik nën drejtimin e BE’së. E kam thënë edhe para se të shkoja në Washington. E kam thënë publikisht. Sepse kemi bazë ligjore për këtë. Kemi vendimin e Asamblesë Gjenerale të Kombeve të Bashkuara për këtë, dhe duhet të bëhet nën drejtimin e BE’së”, ka potencuar ndër të tjera.

Ai tutje ka folur edhe për aspiratën e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe thotë se dëshirojnë të jenë pjesë e BE’së dhe për zgjedhjet e fundit në të cilat ka fituar bindshëm.

(Kosova Sot Online)