Hoti: 30 % e kosovarëve s’besojnë që ka virus

  • A.P /
  • 05 July 2020 - 15:11
Hoti: 30 % e kosovarëve s’besojnë që ka virus

Hoti: 30 % e kosovarëve s’besojnë që ka virus, kjo është e patolerueshme

“S’ka virus”, është bërë një prej shprehjeve më të shpeshta të këtyre ditëve, e cila po përdoret me ironi nga shumë qytetarë sa herë që ka shtim të rasteve të të infektuarve me COVID-19.

E duke se një shprehje të tillë të cilën e ka thënë ish-deputeti Labinot Tahiri, në një protestë ku kërkonte lejimin e dasmave, e besojnë edhe 30 % e kosovarëve.

Një gjë të tillë e ka thënë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konference për media, duke treguar se do të fillojnë me publikimin e reportazheve ditore nga Klinika Infektive për t’iu treguar qytetarëve se me çfarë përballen të shtruarit në spital të infektuar me COVID-19.

“ Do të fillojmë me reportazh të rregullt nga Klinika Infektive, në mënyre që t’iu tregojmë qytetarëve se me çfarë përballen pacientët. Në bazë të vlerësimeve, 30 % e qytetarëve në Kosovë, nuk besojnë që COVID është real, nuk besojnë që ai është i rrezikshëm. Kjo është e patolerueshme”, ka thënë Hoti.

Ai gjithashtu ka thënë se do të hartojnë një strategji të komunikimit në bashkëpunim me mediat.


(Kosova Sot Online)