Strategjia e testimeve, 6 aparatura shpërndahen në gjithë Kosovën, një shtesë do t’i jepet Infektivës

  • A.P /
  • 05 July 2020 - 16:37
Strategjia e testimeve, 6 aparatura shpërndahen në gjithë Kosovën, një shtesë do t’i jepet Infektivës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar sot se do të shtohen testimet për COVID-19. Ai ka bërë të ditur se përveç në Prishtinë, testimet do të fillojnë edhe në gjashtë regjione tjera brenda vendit

Hoti deklaroi se do të shpejtohen procedurat ligjore për blerjen e shtatë aparaturave shtesë për testime.

“Shpejtë, me procedura ligjore sa më të shpejta të mundshme do të blejmë edhe shtatë aparatura shtesë për testime. Një shtesë për Institutin në Prishtinë, dhe në gjashtë qendrat regjionale nga një aparat shtesë për testime”, tha Hoti.

Ai ka thënë se do të krijohen kapacitetet që të bëhen deri në 500 teste brenda ditës.

“Do të punojmë që të krijojmë kapacitete të reja testuese nëpër regjione. Brenda javës do të licencojmë institucionet shëndetësore private, për të kryer teste virologjike. Do të fillojnë procedurat urgjente për të blerë edhe 100 mijë teste virologjike shtesë”, ka deklaruar Hoti.

“Do të bëjmë një formë të prioritetit se kush testohet, duke filluar nga të sëmurët kronikë, ata që kanë shenja e kështu me radhë”, ka thënë Hoti.

Hoti tha se zot ë riorganizohen klinikat e QKUK’së dhe spitalet rajonale në vend.

“Do të riorganizojmë komplet klinikat e QKUK-së, spitalet rajonale, dhe duke shfrytëzuar edhe bazën ligjore që spitalet private të vënë në dispozicion shtretërit e tyre për nevojat e pacientëve që dërgohen nga QKUK”, ka deklaruar Hoti.

Këto deklarata Hoti i tha pas mbledhjes që kishte sot me krerët e institucioneve shëndetësore në vend.

(Kosova Sot Online)