Australia do t’i izolojë 6.6 milionë njerëz shkaku i shtimit të rasteve të virusit

  • A.P /
  • 06 July 2020 - 12:32
Australia do t’i izolojë 6.6 milionë njerëz shkaku i shtimit të rasteve të virusit

Australia do t’i izolojë 6.6 milionë njerëz në rajonin Viktoria nga pjesa tjetër e vendit duke filluar nga mesnata e së martës si masë për parndalimin e përhapjes së koronavirusit që ka shpërthyer në qytetin Melbourne.

Kufiri mes Viktorias dhe Uellsit të Ri Jugor – dy rajonet me popullsinë më të madhe në Australi – do të mbyllet për herë të parë që nga fillimi i përhapjes së pandemisë. Lajmin e bëri të ditur kryeministri i Viktorias, Daniel Andrews.


Sipas medieve lokale, kufiri mes këtyre dy rajoneve do të ruhet nga personeli policor dhe ushtarak dhe shumë pak përjashtime do të bëhen për ata që duan ta kalojnë vijën ndarëse, shkruan “CNN”

Viktoria është përballur me valën e dytë të koronavirusit, duke ngjallur frikë se shkalla e infeksioneve mund të rritet së shpejti në nivel shteti. Javën e kaluar u zbulua se disa punëtorë nuk ishin duke i ndjekur protokollet në një hotel që përdorej për izolimin e të ardhurve nga vendet e huaja. Është raportuar se disa prej tyre madje kanë kryer marrëdhënie intime me personat e izoluar.

Rritja e numrit të rasteve i ka detyruar autoritetet që ta kthejnë urdhrin për qëndrim në shtëpi në disa lagje. Të shtunën, tre mijë banorë u vendosën në izolim në disa zona me vendbanime të dendura në Melbourne.

Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, Australia deri më tani i ka regjistruar mbi 8,500 të infektuar dhe 106 viktima të koronavirusit.

(Kosova Sot Online)