Reagon Ambasada e SHBA’së drejton kritika ndaj të gjithëve në Kuvend: Po humbni kohë me sulme personale

  • G.G /
  • 11 July 2020 - 13:20
Reagon Ambasada e SHBA’së drejton kritika ndaj të gjithëve në Kuvend: Po humbni kohë me sulme personale

Ambasada amerikane në Kosovë ka reaguar pas përplasjes së mbrëmshme në Kuvendin e Kosovës.

Përmes një reagimi në faqen zyrtare në Twitter, ambasada e ShBA’së ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës ka humbur kohë me sulme personale në vend se të kryej punën e tij, duke shtuar se populli i Kosovës meriton më mirë.

“Dy muaj më parë ne u bëmë thirrje të gjitha palëve të ulin retorikën e politizuar dhe të bashkohen për të zgjidhur krizat ekonomike dhe shëndetësore. Kuvendi ka humbur kohë në shpërqëndrime dhe sulme personale në vend që të kryejë përgjegjësitë e tij. Populli i Kosovës meriton më mirë”, thuhet në reagim.

Ndaj përplasjes së mbrëmshme mes Kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani dhe deputetit të LDK’së, Xhavit Ukaj ka reaguar edhe ambasadorja dhe shefja e Zyrës së BE’së, në Kosovë, Nataliya Apostolova duke thënë se tentimi për dhunë në Kuvend sidomos ndaj një gruaje që është kryeparlamentare është e papranueshme.

(Kosova Sot Online)