ShBA-ja godet Francën me 25 për qind taksë në mallra me vlerë prej 1.3 miliard dollarësh

  • G.G /
  • 11 July 2020 - 13:27
ShBA-ja godet Francën me 25 për qind taksë në mallra me vlerë prej 1.3 miliard dollarësh

Administrata Trump të premten ka njoftuar për taksë shtesë prej 25 për qind ndaj prodhimeve të kozmetikës, çantave të dorës dhe produkteve të tjera që prodhohen në Francë, të cilat e kanë vlerën e 1.3 miliard dollarëve.

Taksat shtesë janë si kundërpërgjigje e Shteteve të Bashkuara ndaj taksës për shërbime dixhitale, të vendosur nga Franca, e cila i prek më së shumti gjigantët teknologjikë amerikanë. Megjithatë, kjo taksat e reja mund të mos hyjnë në fuqi në një periudhe deri në 180 ditë, shkruan “Reuters”.

Zyra e përfaqësuesit amerikan për Tregti tha se shtyrja e afatit për fillimin e zbatimit të taksave do të shërbejë për të ofruar më shumë kohë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, përfshirë zhvillimin e diskutimeve në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Ky vendim përputhet edhe me vendimin e Francës për të mos e zbatuar menjëherë taksën prej 3 për qind për shërbime dixhitale.

Masa e re nga Shtetet e Bashkuara erdhi pas një hulumtimi se taksa franceze i diskriminon kompanitë teknologjike amerikane, siç janë “Google”, “Facebook”, dhe “Apple Inc”.

Franca dhe disa vende të tjera i shohin taksat për shërbime dixhitale si mënyrë për rritjen e të ardhurave nga operacionet lokale të kompanive të mëdha teknologjike, për të cilat thonë se fitojnë shumë nga tregjet lokale, ndonëse kontribuojnë pak në arkat e shteteve.

Bisedimet e mëparshme për gjetjen e një zgjidhjeje shumëpalëshe rreth taksave për shërbime dixhitale kanë dështuar. Negociatat janë ndërlikuar edhe më shumë pas përhapjes së koronavirusit.

Muajin e kaluar, sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, i befasoi shtetet evropiane, kur sugjeroi një ndërprerje të bisedimeve për shkak të mungesit të përparimit në to.

(Kosova Sot Online)