Ja çfarë thonë avokatët kosovarë për paraqitjen e nesërme të Thaçit në Hagë

  • A.P /
  • 12 July 2020 - 15:58
Ja çfarë thonë avokatët kosovarë për paraqitjen e nesërme të Thaçit në Hagë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi nesër do të udhëtojë për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.

Këtë ai e bëri të ditur me anë të një postimi në rrjetin social Facebook duke thënë  “Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi”.

Prokuroria e Specializuar e Hagës më 24 qershor me anë të një njoftimi për media ka thënë se ka dorëzuar aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit e kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

”Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”, thuhet në njoftimin e aktakuzës.

Avokati Arianit Koci, ka thënë se Thaçi është dashur të jetë më transparent sa i përket ftesës që kishte pranuar.

Koci thekson se në ftesë saktësohet cilësia e të ftuarit – a ftohet si dëshmitar apo i dyshuar, dhe për cilën vepër ftohet nëse eventualisht është i dyshuar.

“Pasi që është ngritur aktakuza, tani i kemi dy opsione:

– sipas rregullës 86 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, gjykatësi i procedurës paraprake, mund të kërkojë më shumë hollësi nga prokuroria – e kjo mund ta determinoj edhe ftesën;

– Opsioni tjetër mund të jetë se z.Thaçi mund të jetë ftuar për ndonjë çështje tjetër e cila nuk ka të bëjë me krime lufte por që është në kompetencë të Dhomave të Specializuara, e që ka të bëjë me komunikatën e prokurorisë që e ka lëshuar me rastin e dorëzimit të aktakuzës”.

“Në këtë komunikatë prokuroria pretendon se është penguar dhe sabotuar puna e Dhomave të Specializuara. Natyrisht, këto për momentin janë vetëm pretendime dhe mund të mos jenë të sakta”, ka thënë Koci.

Po ashtu edhe avokati Tahir Rreci ka thënë se nuk e di a do të mbrohet në heshtje presidenti.

“Këtë nuk e di është, zgjedhje e tij. Këtë e di ai si ka zgjedhur”, ka thënë Rreci.

(Kosova Sot Online)