Thaçi në Hagë, Haradinaj e përcjell me disa fjalë për pastërtinë e luftës së UÇK-së

  • A.P /
  • 13 July 2020 - 11:16
Thaçi në Hagë, Haradinaj e përcjell me disa fjalë për pastërtinë e luftës së UÇK-së

Për intervistimin e Presidentit Hashim Thaçi në Hagë, ka shkruar edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Ai thotë se pjesëtarët e UÇK-së nuk i kanë ikur asnjëherë ballafaqimit me drejtësinë.

Presidenti Thaci është ftuar që sot të intervistohet në Hagë, pak ditë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se ka dorëzuar aktakuzën ndaj tij. Sic thotë njoftimi, ish-drejtori politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani president i vendit, dhe të tjerët që s’u janë përmendur emrat, përvec Kadri Veselit, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

E Haradinaj shkruan se pastërtia dhe vlera e UÇK’së nuk humbin kurrë, pavarësisht përpjekjeve që, sipas tij, bëhen për ta dëmtuar atë

Shkrimi i plotë i tij:

Shqiptarët kanë bërë luftë të pastër dhe të drejtë, në mbrojtje të pragut të shtëpisë, dinjitetit dhe Atdheut. Në çdo rrethanë përgjatë tërë historisë, kemi dëshmuar pjekuri, guxim, mikpritje e bashkëpunim, e këtë e dëshmon edhe gatishmëria jonë anipse nga pozita e viktimës, t’i përgjigjemi thirrjeve të drejtësisë sado të pa drejta qofshin ato.

E vlerësoj lartë gatishmërinë e presidentit Thaçi që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale. Lufta e popullit shqiptar, të rreshtuar përkrah UÇK-së ishte e drejtë, vlera e së cilës, pavarësisht përpjekjeve për ta dëmtuar, nuk do t’i humbë as sot, e as kurrë. Nuk i kemi ikur asnjëherë ballafaqimit me drejtësinë sa herë ajo e ka kërkuar këtë, pa marrë parasyshë pozitat tona shtetërore, i jemi përgjigjur dhe do t’i përgjigjemi.

Nuk ekziston asnjë gjyq që mund ta gjykojë përpjekjen e një populli për të jetuar si gjithë të tjerët të lirë në tokën e vet.

RH

(Kosova Sot Online)