“10 milionë fëmijë mund të mos kthehen kurrë në shkollë”

  • A.P /
  • 13 July 2020 - 14:49
“10 milionë fëmijë mund të mos kthehen kurrë në shkollë”

Rreth 10 milionë fëmijë në të gjithë botën mund të mos kthehen kurrë në shkollë, si pasojë e impaktit të pandemisë koronavirus. Alarmi është lëshuar nga “Save the Children, që ka publikuar një raport të ri lidhur me këtë çështje. Sipas tij, numri i fëmijëve që nuk frekuentojnë shkollat për shkak të masave kufizuese ka shkuar në 1,6 miliardë në nivel global.

Ekspertët theksojnë se shkurtimi i fondeve për edukimin dhe rritja e nivelit të varfërisë si pasojë e pandemisë, mund të çojë në largimin e përhershëm të miliona fëmijëve nga shkollat, ndërsa shumë të tjerë do të mbesin mbrapa në mësime.

Një arsye tjetër që do t’i pengojë ata të kthehen në banka është se mund të jenë detyruar të nisin punë për të ndihmuar familjet me të ardhura. Vajzat kanë më shumë gjasë që të vuajnë nga impakti i braktisjes së arsimimit se sa djemtë, pasi disa prej tyre përfshihen në martesa të detyrueshme, sipas asaj që shkruan raport organizata bamirëse britanike.

Përpara pandemisë, rreth 258 milionë fëmijë dhe adoleshentë në botë nuk arsimoheshin në shkolla. “Save the Children” ka listuar 12 shtete, kryesisht të Afrikës dhe Lindjes së Mesme, në të cilat fëmijët janë më të rrezikuar si Afganistani, Nigeria, Senegali etj.

(Kosova Sot Online)