Koci tregon arsyet pse mund të jetë ftuar Thaçi për intervistim

  • E.K /
  • 13 July 2020 - 18:06
 Koci tregon arsyet pse mund të jetë ftuar Thaçi për intervistim

Avokati Arianit Koci ka folur lidhur me intervistimin e Presidentit Hashim Thaçi nga Prokuroria Speciale në Hagë.

Sipas Kocit, Thaçi mund të jetë ftuar për intervistim për vepra të tjera që hyjnë në kompetenca të Prokurorisë, siç është pengimi i drejtësisë.

“Bazuar nga toni i vetë komunikatës së prokurorisë, ndoshta Thaci nuk është ftuar për intervistim për krime lufte, por për vepra të tjera që hyjnë në kompetencë të prokurorisë, siç është pengimi i drejtësisë”, ka thënë Koci.

Ndërkohë, për avokatin që ka zgjedhur Presidenti, Koci ka thënë se ka bërë zgjidhje të mirë.

“Ka bërë zgjidhje të mirë. Ambasadori Pierre-Richard Prosper, është jurist i njohur, ka qenë diplomat i karrierës dhe ka qenë i kyqur edhe si prokuror për krime të luftës”, ka deklaruar Koci në Frontal.

Ndryshe, kanë kaluar më shumë se pesë orë prej kur presidenti Hashim Thaçi ka hyrë në objektin e Prokurorisë Speciale në Hagë. Ai po vazhdon akoma të intervistohet.

Media ka raportuar sot se Thaçi ka angazhuar për avokat, juristin e njohur amerikan, Pierre – Richard Prosper.

Ish-drejtori politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që tash është president i vendit, ka thënë para mediave se “do ta kalojë këtë sfidë me sukses për djalin, familjen dhe kombin”.

Thaçi ka thënë se nëse i konfirmohet aktakuza ndaj tij, atëherë do të japë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Kosovës.

(Kosova Sot Online)