Zemaj deputetëve të VV’së: Jam nip i Mic Sokolit, kemi fituar beteja, ju jeni shëtit me paramilitarë

  • 13 korrik 2020 - 21:23
 Zemaj deputetëve të VV’së: Jam nip i Mic Sokolit, kemi fituar beteja, ju jeni shëtit me paramilitarë

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj u është përgjigjur kritikave të shumta të deputetëve të Vetëvendosjes për keqmenaxhim të pandemisë Covid-19, me të kaluarën gjatë luftës.

Tha se ‘edhe kjo ka të bëjë me pandeminë’ dhe akuzoi deputetët e VV’së për ‘shëtitje me paramilitarë’ në kohën e luftës në Kosovë.

“Unë jam Armend Zemaj, mbiemri Zemaj është tmerr edhe ka qenë tmerr për forcat paramilitare serbe në Kosovë. Jam nipi i Rexhep Sadrisë prej babe, prej nane jam nipi i Mic Sokolit, stërnip i Osë Dautajt të Isniqit, stërnip i bajraktarit të Vranocit”, tha Zemaj në Kuvendin e Kosovës.

“Po hajde tregomni ju kush jeni edhe trashëgimia juaj se kush jeni”, shtoi ai.

“Edhe kjo ka të bëjë me pandemi.  Me tesha të zeza i kemi vesh ata që e kanë gjakosë popullin shqiptar në beteja të famshme të fituara kur ju jeni shëtit rrugëve të Prishtinës bashkë me qata paramilitarë”, përfundoi ai.

Ndërkohë, deputeti i VV’së, Arbër Rexhaj tha se ata respektojnë familjet e atyre që kontribuan për vendin. Por pati një kërkesë për Zemajn.

“Mos ju drejtoni Grupit Parlamentar të VV’së në kuptimin, që siç ju drejtohej një parti si spiuna. Krejt ajo çka unë fola ishte në kuptimin e pandemisë. Mos të kalojmë në nivele të tjera të debatit se nuk është e hijshme”, tha Rexhaj.

(Kosova Sot Online)