Irani thotë se e ka ekzekutuar agjentin e dënuar për bashkëpunim me CIA-n

  • A.P /
  • 14 July 2020 - 12:09
Irani thotë se e ka ekzekutuar agjentin e dënuar për bashkëpunim me CIA-n

Autoritetet e drejtësisë në Iran kanë thënë se e kanë ekzekutuar një ish-punëtor të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili është shpallur fajtor për shitjen e informatave te Agjencia Qendrore e Inteligjencës e Shteteve të Bashkuara (CIA).

Zëdhënësi i organeve të drejtësisë, Gholamhossein Esmaili, tha se Reza Asgari ka qenë i lidhur me CIA-n gjatë viteve të fundit të tij në punë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ka shitur informata për programin raketor të Iranit, shkruan “Reuters”.

Asgari e kishte lënë punën në këtë ministri para katër vjetësh, ndërsa Esmaili tha se ekzekutimi i personit të dënuar është bërë javën e kaluar.

Esmaili gjithashtu njoftoi se ekzekutimi i Mahmoud Mousavi_majd, një iranian tjetër i akuzuar për spiunazh për Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ende nuk është kryer.

Vitin e kaluar, Irani kishte njoftuar se i ka kapur 17 spiunë, për të cilët tha se ishin duke punuar për CIA-n.

Dënimi me vdekje zbatohet mjaft shpesh në Iran. Vetëm vitin e kaluar, këtë dënim e kanë marrë së paku 250 persona.

(Kosova Sot Online)