Qëndrimi zyrtar i PDK’së: E kemi kryetarin, s’jemi duke diskutuar për emra

  • E.K /
  • 15 July 2020 - 15:31
 Qëndrimi zyrtar i PDK’së: E kemi kryetarin, s’jemi duke diskutuar për emra

Zëdhënësi i PDK’së, Avni Bytyçi, përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar, ka thënë se partia të cilës i takon nuk është duke diskutuar kurrfarë emri për kryetar, pasi që në atë post është Kadri Veseli.

“Partia Demokratike e Kosovës e ka kryetarin dhe liderin e saj politik, z. Kadri Veseli. Spekulimet dashakeqe se në Partinë Demokratike të Kosovës janë duke u diskutuar emra për të zëvendësuar z. Veseli, janë tërësisht të pavërteta!”, ka shkruar ai.

Ky reagim i tij ka ardhur pas raportimit të Gazetës Express, se brenda PDK’së janë duke u diskutuar katër emra potencial të cilët do të mund të drejtojnë PDK’në në rast të konfirmimit të aktakuzës së Speciales për Kadri Veselin.

Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Hajredin Kuqi e Memli Krasniqi janë emrat të cilët sipas burimeve tashmë janë vetëm duke u diskutuar brenda organeve udhëheqëse të PDK’së.

Veseli ka dy mandate që udhëheq me PDK’në pas largimit të Thaçit. Në çdo palë zgjedhje që ka marrë pjesë, Veseli i ka humbur ato. Derisa në zgjedhjet e 6 tetorit është renditur në pozitën e 3-të pas Vetëvendosjes dhe LDK’së.

(Kosova Sot Online)