Anglia dhe Uellsi do ta mundësojnë caktimin e testamentit përmes dëshmitarëve në distancë

  • E.K /
  • 25 July 2020 - 16:14
Anglia dhe Uellsi do ta mundësojnë caktimin e testamentit përmes dëshmitarëve në distancë

Caktimi i testamentit përmes dëshmitarëve me video-lidhje pritet të lejohet me ligj në Angli dhe Uells që të bëhet më e lehtë për njerëzit që t’i lënë dëshirat e tyre të fundit gjatë pandemisë.

Sipas ligjeve të tanishme, testamenti mund të caktohet në praninë e së paku dy dëshmitarëve, por rrethanat gjatë pandemisë kanë bërë që disa njerëz t’i përdorin platformat e internetit, si Zoom dhe FaceTime.

Të shtunën, ministrat thanë se prania e dëshmitarëve përmes video-lidhjes gjatë caktimit të një testamenti do të vlerësohet ligjërisht e pranueshme, me kusht që cilësia e zërit dhe pamjes të jetë mjaftueshëm e mirë që të shihet dhe të dëgjohet se çfarë është duke ndodhur.

Ndryshimi i tillë ligjor, që pritet të hyjë në fuqi nga shtatori, do të bëhet i vlefshëm për të gjitha rastet nga 31 janari, kur ishte regjistruar rasti i parë i koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar, dhe do të vlejë së paku deri më 31 janar të vitit 2022.

Megjithatë, testamentet përsëri do të duhet të nënshkruhen nga dy dëshmitarë, të cilët nuk duhet të jenë në mesin e përfituesve, ndërsa nënshkrimet elektronike nuk do të pranohen.

Qeveria theksoi se përdorimi i teknologjisë në caktimin e testamenteve duhet të shihet si mundësi e fundit dhe se njerëzit duhet të vazhdojnë të organizojnë tubim fizik në rastet kur një gjë e tillë është e sigurt.

Ministri i Drejtësisë, Robert Muckland, tha: “Masat tona do t’u japin paqe të mendjes shumë njerëzve që dëshirat e tyre ende mund të regjistrohen gjatë kësaj kohe sfiduese, përderisa vazhdojmë t’i mbrojmë të moshuarit dhe të ndjeshmit.

(Kosova Sot Online)