Vuçiq: Nuk jam optimist për zgjidhjen e problemeve me Kosovën

  • E.K /
  • 30 July 2020 - 08:06
Vuçiq: Nuk jam optimist për zgjidhjen e problemeve me Kosovën

Në video-samitin e organizuar nga Këshilli Atlantik i Uashingtonit, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka folur për problemet me Kosovën.

Duke folur për mundësitë që prodhon bashkëpunimi ekonomik mes vendeve të rajonit,  Vuçiq, tha se ekzistojnë një mori pengesash, të cilat do të mund të hiqeshin.

Kreu i shtetit serb tha se ekzistojnë mosmarrëveshje mes vendeve të rajonit edhe të natyrës politike, duke përmendur në veçanti dallimet me Kosovën, për të cilat tha se nuk është shumë optimist se do të gjendet një zgjidhje.

“Ne duhet që, të paktën, të provojmë të bëjmë më mirë për ta zgjidhur këtë çështje, edhe pse nuk jam krejtësisht optimist për këtë dhe natyrisht se janë disa çështje të tjera mes nesh, po ashtu brenda Bosnje e Hercegovinës”, deklaroi Vuçiq.

Vuçiq po ashtu tha se bashkëpunimi rajonal ekonomik është i një rëndësie të veçantë, pasi, sipas tij, 17 për qind e të gjithë eksportit të shtetit të Serbisë shkon në vendet e rajonit.

“Edhe nëse ne i bashkohemi Bashkimit Evropian përpara disa shteteve, ne do të mbesim në rajon dhe bashkëpunimi mes nesh, brenda gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, do të mbetet prioriteti kryesor i Serbisë”, tha Vuçiq.

(Kosova Sot Online)