348 pjesëtarë të policisë janë infektuar me koronavirus, dy prej tyre kanë vdekur

  • E.K /
  • 06 August 2020 - 15:17
348 pjesëtarë të policisë janë infektuar me koronavirus, dy prej tyre kanë vdekur

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që nga përhapja e pandemisë, bashkë me doktorët kanë qenë në vijën e parë të frontit.

Kontaktet e policëve me shumë qytetarë e zyrtarë shtetërorë, në zbatim të masave të menaxhimit të pandemisë, ka bërë që një numër i madh i tyre të infektohen me COVID-19, e ka pasur prej tyre që edhe kanë humbur jetën.

Drejtori i Departamentit të Operacioneve në Policinë e Kosovës, Afrim Ahmeti, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se që nga fillimi i pandemisë, mbi 300 pjesëtarë të policisë janë të prekur nga koronavirusi.

“Pa dyshim që edhe Policia e Kosovës si të gjithë qytetarët tjerë nuk është imune ndaj pandemisë, duke pasur parasysh që pas mjekëve policia në baza ditore ka qenë në frontin e parë në shërbim të qytetarëve, me kontakte të shumta kemi pasur edhe pjesëtarë të policisë të infektuar”.

“Gjithsej kemi pasur 348 zyrtarë të infektuar 146 janë shëruar dhe fatkeqësisht kemi 2 të vdekur. Aktualisht janë 200 pjesëtarë aktivë me COVID-19, 9 janë duke u trajtuar në spital, 191 janë në shtëpi”, është shprehur ai.

Ahmeti ka thënë se që nga filmi i përhapjes së pandemisë, policia ka qenë e angazhuar me kapacitete të plota.

Aktualisht, sipas tij, janë të angazhuar 400 mijë pjesëtarë të policisë për të zbatuar planin e Qeverisë.

“Pas vendimit të fundit të Qeverisë, Policia e Kosovës ka angazhuar kapacitete të plota, kemi angazhuar mbi 4 mijë policë në një orar prej 12 orësh që janë të angazhuar ekskluzivisht në implementim të vendimit të Qeverisë në zbatim të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ndërsa pjesa tjetër pa i llogaritë policinë kufitare që kryejnë detyrat e tyre të rregullta, e që edhe ata në një mënyrë apo tjetër angazhohen në implementim të planit për zbatimin e masave”, ka thënë ai, raporton EO.

Sipas tij, plani për menaxhimin e pandemisë, po zbatohet në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe në komunat veriore të vendit.

“Policia e Kosovës operon së një organizatë e vetme  në tërë territorin e Kosovës , edhe në komunat veriore të Kosovës zbatohet plani jonë operativë dhe respektohen vendimet e Qeverisë së Kosovës pa asnjë përjashtim”, është shprehur drejtori i operacioneve.

Ahmeti ka treguar se Policia e Kosovës është duke kryer të gjitha punët tjera që janë në kompetencë të saj.

(Kosova Sot Online)