Këshilltari i Kryeministrit numëron faktet pse duhen hapur shkollat më 1 shtator

  • E.K /
  • 09 gusht 2020 - 17:24
Këshilltari i Kryeministrit numëron faktet pse duhen hapur shkollat më 1 shtator

Xhavit Beqiri, këshilltar për media i Kryeministrit Avdullah Hoti, në cilësinë e profesorit të Universitetit të Prishtinës, thotë se mësimi në shtator duhet të nis nëpër shkolla.

Sipas Beqirit, nxënësit kanë pasur mangësi në marrjen e mësimeve me metodat virtuale, që nisën për shkak të përhapjes së virusit Covid 19.

Tutje ai thotë se viti i kaluar shkollor, një pjesë e të cilit është mbajtur online, ka dëshmuar se nxënësit që ishin të mirë në mësime kanë pasur rënie drastike.

Këshilltari i Kryeministrit Hoti ka renditur edhe disa arsye të tjerë, sipas të cilit, duhet të bëhen përpjekje të nis mësimi në shkolla, përkundër situatës pandemike.

Shkrimi i plotë:

E kuptoj gjendjen specifike në të cilën gjendemi, për shkak të pandemisë COVID 19, mirëpo, si mësimdhënës i Fakultetit të Edukimit, konsideroj se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që viti i ri shkollor 2020/’21 të fillojë në objektet shkollore.

Kur e them këtë, kam parasysh shumë faktorë, ndër të cilët po veçoj:

1. Mësimi në distancë lë shumë zbrazëti në procesin e nxënies, sidomos në klasat e ulëta të fillores;

2. Mësimi në distancë e thellon edhe më shumë hendekun e njohurive të nxëna në mes nxënësve të dalluar dhe atyre që janë më të dobët;

3. Viti shkollor që shkoi ka dëshmuar se shumë nxënës, të cilët kanë qenë mirë me mësime, gjatë kohës së mësimit në distancë kanë pësuar rënie drastike;

4. Sistemi i sotëm edukativ-arsimor kërkon vlerësim të vazhdueshëm. Ky tip vlerësimi nuk ka si të bëhet “në distancë”;

5. Vijueshmëria në mësim është shumë relative, në distancë, sepse nxënësi/studenti, ndonëse është “online”, fare lehtë, mund të mos jetë fare prezent në orën e mësimit (telefonin/laptopin e ka “online”, porse vetë është në kuzhinë, apo para televizorit!);

6. Në fund (edhe pse ka ende plot argumente të tjera), mungesa e shoqërizimit të gjatë, mungesa e afërsisë së bashkëmoshatarëve dhe mësimdhënësve, do të lërë pasoja afatgjata në formimin sociokulturor e psikologjik të nxënësve.

(Kosova Sot Online)