PDK’ja kërkon që Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike të tërhiqet nga shqyrtimi

  • 14 gusht 2020 - 19:19
PDK’ja kërkon që Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike të tërhiqet nga shqyrtimi

Partia Demokratike e Kosovës po kërkon që Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike të tërhiqet nga shqyrtimi në Kuvendin e Kosovës.

Kujtim Gashi nga kjo parti, gjatë seancës ku po diskutohet ky projektligj, tha se ai nuk adreson problemet e vendit me ekonomi dhe pandemi.

“Ky projektligj mund të jetë gjithçka tjetër, por vetëm Ligj për Rimëkëmbje nuk është sepse i njëjti nuk adreson problemet e vendit me ekonomi dhe pandemi. Madje ky ligj nuk ndihmon as shëndetësinë, sektor ky që po ballafaqohet me probleme të shumta sa i përket përballjes së personelit shëndetësorë me virusin COVID-19”, tha ai, raporton kp.

Ai ka thënë se tërheqja e 10 për qindëshit të kursimeve në Trust vetëm do të dëmtojë qytetarët.

“Përkundër që tërheqja e 10 për qind e mjeteve mund të duket si ndihmë afat shkurte për qytetarët, në aspektin afatgjatë dëmton qytetarët meqë shteti nuk do t’ua rimbursojë asnjëherë këto mjete. Pra, kjo i bie që ata që do të tërheqin mjetet do të zvogëlojnë edhe më shumë fondin e tyre pensional. Pra, do të kenë për 10 për qind më pak mjete ndoshta edhe për pleqërinë e tyre”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)