Arrestohet njeriu më i besueshëm i Gjuriqit e Vulinit në Kosovë, dyshohet për keqpërdorim të milionave

  • E.K /
  • 04 September 2020 - 15:17
Arrestohet njeriu më i besueshëm i Gjuriqit e Vulinit në Kosovë, dyshohet për keqpërdorim të milionave

Policia serbe ka arrestuar kryetarin e komunës paralele të Klinës, Bozhidar Sharkoviq dhe shefin e financave. Ata janë arrestuar me urdhër të prokurorisë kundër krimit të organizuar nën dyshimin se kanë keqpërdorë detyrën zyrtare.

Sharkoviq dhe shefi i Financave, sipas prokurorisë serbe, nga data 1 janar 2015 deri me 30 qershor 2020 kanë miratuar pagesa të paligjshme duke e dëmtuar buxhetin e Serbisë për 3.7 milionë dinarë.

Bozhidar Sharkoviq, kryetar i të ashtuquajturit Organ i Përkohshëm të Klinës, njëherësh edhe anëtar i partisë së presidentit serb Aleksandar Vuqiq ishte shkarkuar nga pozita me vendim të kryeministres serbe Ana Brnabiq me 27.02.2020. Në vend të tij ishte emëruar Vlado Shmigiq.

Por, pa kaluar as një muaj Sharkoviq ishte kthyer në pozitën e tij, kjo me ndihmën e zyrtarëve të zyrës që udhëhiqet nga Marko Gjuriq dhe lidhjeve kriminale të tij në Serbi.

Bozhidar Sharkoviq qe është arrestuar në Serbi për veprimtari kriminale është njëri nga njerëzit me të besuar të Marko Gjuriqit në Kosovë, e veçanërisht në rajonin e Pejës. Por, ai shpesh është vizituar edhe nga zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë serb, si Aleksandar Vulin – aktualisht ministër i Mbrojtjes në Serbi, shefi i zyrës ndërlidhëse Dejan Paviqeviq,  Goran Rakiq – kryetar i ‘Listës Serbe’ dhe të tjerë.

(Kosova Sot Online)