Nota verbale nga Izraeli brenda dy javësh- çfarë po komunikonin Prishtina e Tel Avivi muajve të fundit?

  • A.P /
  • 07 September 2020 - 17:31
Nota verbale nga Izraeli brenda dy javësh- çfarë po komunikonin Prishtina e Tel Avivi muajve të fundit?

Skena e polarizuar politike e Kosovës pajtohet pa kontestim vetëm në një pikë të marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë. Të gjithë, që nga Hashim Thaçi, deri te Albin Kurti e Vjosa Osmani çmojnë njohjen e Izraelit. Kryeparlamentarja Osmani sot gjendej në faqet zyrtare të kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke e falënderuar hebraisht shtetin e tij për njohjen. Por, para 4 shtatorit kur u bë i ditur vendimi për njohje reciproke, Kosova kishte nisur përgatitjet për të vendosur misionin me karakter ekonomik në Jerusalem.

Hebrenjtë dhe shqiptarët kanë një lidhje të moçme, ndërsa shteti i Kosovës dhe i Izrealit kanë nisur vonë bashkëpunimin, që të premten është formalizuar me njohje të shtetësisë.

Në Shtëpinë e Bardhë, Kosova shkëmbeu njohjen me Izraelin me planin me çka parashihet edhe hapja e vendosjes së Ambasadës në Jerusaelm , por përgatitjet për të çuar një mision të karakterit ekonomik në shtetin hebre ishin zhvilluar gjatë muajve të fundit.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë thënë për Gazetën Express se tashmë është angazhuar një e ngarkuar me punë dhe se këto ditë pritet një telefonatë e kryediplomatit izraelit, Gabi Ashkenazi për të nisur funksionalizimin e misionit diplomatik në Jerusalem, aty ku shteti i Izraelit e do.

Kosova de facto e ka njohur gjithmojnë shtetin hebraik, sic kërkonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është prej të parave shtete që u zotua në vitin 2017 se do ta ndjekë Amerikën, që njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe do ta vendosë ambasadën e saj në “tokën e shenjtë”, sapo të merrte njohjen nga Izraeli. Edhe pasi shtete të fuqishme europiane si Franca e Gjermania e kundërshtuan këtë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Përgatitjet për t’u vendosur në Jerusalem me mision diplomatik, Kosova i ka bërë para se presidenti amerikan Donald Trump t’i befasonte kosovarët me njohjen nga Izraeli. 

Drejtori gjeneral i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izrealit, Alon Ushpiz, më 3 gusht të këtij viti, i ka kthyer ministres kosovare, Meliza Haradinaj – Stublla një letër, ku thotë se Izraeli është i hapur të bashkëpunojë me Kosovën në fusha të ndryshme, duke përfshirë ekonominë dhe tregtinë.

Në këtë letër, Ushpiz shpreh interesimin për hapjen e një zyreje në Jerusalem, që do të promovonte interesat ekonomikë të dy shteteve.

“Shkeqësia juaj, në të kaluarën, Izraeli ka propozuar vendosjen e një zyreje në Jerusalem, për promovim të interesave ekonomikë. Ne kemi rekomanduar që një përfaqësues i Izraelit, që vjen nga sektori i sipërmarrjes ta drejtojë këtë zyrë, ashtu që të sjell avancim në ndërmarrjet tregtare dhe do të ishim të lumtur po të shihnim se kjo iniciativë do të materializohej. Kjo sigurisht që do të promovonte praktikisht marrëdhëniet tona”.

Aty, zyrtari izraelit, i ka shprehur Kosovës vlerësimin që e ka shpallur si terroriste organizatën libaneze “Hezbollah”. Kjo njëherit është bërë edhe pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

Ministrja e Jashtme, pas konsultimit me kryeministrin Hoti, pak ditë para se të niseshin në Uashington i ka kërkuar presidentit Hashim Thaci, që të dekretojë zhvendosjen e misionit diplomatik të Kosovës në Izrael, nga Tel Avivi në Jerusalem.

Kosova në vitin 2016 ka kërkuar nga Izraeli hapjen e një zyreje ndërlidhëse – atëherë – në Tel Aviv.

Ministrja Haradinaj-Stublla i ka shkruar presidentit Hashim Thaçi më 26 gusht se “Republika e Kosovës që nga viti 2016 ka Misionin Diplomatik të saj në Izrael, mirëpo deri tani ky mision nuk është funksionalizuar. Duke pasur parasysh nevojat për gjendjen aktuale në politikën e jashtme, në raport me shtetin e Izraelit, me qëllim të funksionimit të këtij misioni, kërkoj nga ju, i nderuar President, që të nxirrni një dekret sipas këtij propozimi, në mënyrë që sa më shpejt të bëhet funksionalizimi i Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në shtetin e Izraelit”.

Në MPJD i kanë thënë se Presidenti akoma nuk ka nxjerrë një dekret të ri.

Njohja e Kosovës nga Izraeli u konfirmua nga kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili pati një bisedë telefonike me kryeministrin Avdullah Hoti, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.

E gjithë skena e përçarë politike e Kosovës, që ka qëndrime nga më të ndryshmet për marrëveshjen që u nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, është unike vetëm në pikën për Izraelin.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani sot përmes një videoje e ka falënderuar shtetin e Izraelit për njohje, duke i kujtuar lidhjen e veçantë të dy popujve, prej Luftës së Dytë Botërore.

“Po qëndroj para memorialit të komunitetit hebrenj, këtu në Parlamentin e Kosovës, për të thënë “Faleminderit” [e thotë edhe në hebraisht] Izraelin që e njohu Republikën e Kosovës. Më shumë se 70 vjet  më parë, shqiptarët e Kosovës hapën zemrat dhe shtëpitë e tyre për hebrenjtë. Që nga atëherë, qytetarët e Kosovës dhe ata të Izrealit e kanë një lidhje të veçantë, që së fundmi u formalizua me vënien e raporteve diplomatike javën e kaluar. Nga Kuvendi i Kosovës, ne i falendërojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që e bën këtë të mundur. Ne mezi presim që të forcojmë edhe më shumë miqësinë tonë me Izraelin, përmes bashkëpunimit të parlamentit me Knesset-in [paralementin e Izrealit]”, ka thënë Osmani.

Këtë video e publikoi kryeministri Netanyahu në faqet e tij në rrjete sociale.

Ndryshe, në MPJD thonë se njohja nga shteti i Izrealit do të formalizohet sapo të mbërrijë nota verbale, e kjo pritet të vijë brenda dy jave.

Paralajmërimet e Kosovës se do të hapë ambasadë në Jerusalem kanë nxitur reagimin e ashpër të Turqisë si dhe të BE’së e cila ka thënë se ky synim nuk është në përputhje me politikën e unionit.


(Kosova Sot Online)