Njeriu përballë natyrës, ja 9 fitoret epike të historisë

  • G.G /
  • 09 September 2020 - 18:49
Njeriu përballë natyrës, ja 9 fitoret epike të historisë

Kjo ka qenë një prej ëndrrave më të lashta të njeriut: fluturimi deri tek yjet dhe shëtitja në Hënë. Por nëse tek “Orlando i furishëm” i Ludovico Ariosto (1532) apo tek vizionari “Nga Toka në Hënë” i Jules Verne (1865) këtë ëndërr e realizonin individë me iniciativë që sfidonin kufijtë e botës së njohur, gara e vërtetë për hapësirën, mes viteve 50 dhe 70 të shekullit të kaluar ishte në fakt një sfidë teknologjike dhe politike mes dy superfuqive: miliardat e shpenzuara në misionet hapësinorë nga SHBA dhe BRSS më shumë se sa për të kënaqur etjen për dije, shërbyen për të demonstruar se cila superfuqi ishte më e forta.

Gara e fortë nisi në 1957, kur sovjetikët dërguan në orbitë satelitin e parë artificial, “Sputnik 1”. Shtetet e Bashkuara, pas disa lëshimesh të dështuar, u përgjigjën duke krijuar në vitin 1958 NASA-n, agjencia hapësinore amerikane. Por ishin sërish rusët që koleksiononin suksese: në vitin 1959 arritën në Hënë me sondën Lunik 2; në vitin 1961, Jurij Gagarin ishte i pari njeri që fluturonte në orbitë përreth Tokës (por është hedhur hipoteza që astronautë të tjerë kanë mbetur të vdekur në misione të mëhershëm, gjë që është mbajtur e fshehtë para botës) dhe në vitin 1963 Valentina Tereshkova ishte kozmonautja e parë femër. Amerikanët morën revanshin në 20 korrik 1969, kur misioni “Apollo 11” i komanduar nga Neil Armstrong bëri që njeriu më në fund të vinte këmbë në Hënë.

Rosa Parks

Me “jo”-në e saj është bërë gruaja simbol që sfidon paragjykimet shoqërore dhe abuzimet e pushtetit në segregacionin racor. Rosa Parks, afro amerikane dhe aktiviste për të drejtat civile, një mbrëmje të vitit 1955 në Montgomery (Alabama), po kthehej në shtëpi me autobus. Të vetmit vende bosh ishin në pjesën e pasme, e rezervuar për të bardhët. Ajo u ul atje. Kur pak më vonë hipën disa pasagjerë të bardhë, drejtuesi e urdhëroi që të zhvendosej në sektorin për zezakët. Rosa refuzoi të ngrihet dhe u dërgua menjëherënë burg. Po atë natë, rreth 50 udhëheqës të komunitetit afroamerikan, të drejtuar nga Martin Luther Kingu atëherë jo shumë i njohur, ndoqën shembullin e saj, duke shpallur bojkotimin e mjeteve publikë. King, duke trajtuar veprimin e Parks, do të shkruante më vonë: “Rosa qëndroi e ulur në emër të abuzimeve të akumuluar ditë pas dite dhe në emër të aspiratave të pakufi të brezave të ardhshëm”. Protesta vazhdoi për një vit, deri kur çështja Rosa Parks përfundoi në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, e cila e quajti jokushtetues segregracionin në mjetet e transportit publik në Alabama. Ndërkohë bojkoti u kish hapur rrugë protestave të tjera, që në vitin 1964 sollën miratimin e një ligji të ri mbi të drejtat civile, i cili i jepte formalisht fund segregimit racor në SHBA.

100-metërshi

Sportistët e quanin thjeshtë “pengesa”: të përshkoje një gjatësi prej 100 metrash në më pak se dhjetë sekonda. Shekullin e kaluar ishte sfida më e lakmuar prej atletëve të shpejtësisë. Një sfidë mendore dhe psikologjike, përveçse fizike. I pari që e theu (të paktën pas futjes së kronometrave elektronikë, pas Luftës së Dytë), ishte afroamerikani James Ray Hines, i datëlindjes 1946. Në vitin 1968, gjatë Olimpiadës së Meksikos, fitoi medaljen e Artë në 100-metërsh me një kohë 9 sekonda e 95 te qindat. Jo pa polemika: në fakt u ndihmua nga lartësia e madhe (2600 metra mbi nivelin e detit). E njëjta lloj ndihme që pati njeriu i dytë që e kaloi pengesën (9 sekonda e 98 te qindat), kubani Silvio Leonard, në 1977, në afro 1500 metra lartësi. Këtë limit, në një lartësi sa niveli i detit, e ka kaluar një tjetër afro amerikan: Carl Luis, që për këtë arsye ka marrë nofkën “biri i erës”, që në vitin 1983 rregjistroi kohën 9 sekonda e 97. Dhe në vitin 1991 Luis kaloi një tjetër pengesë (atë të 9 sekonda e 90 te qindat) në Olimpiadën e Tokios, ku rregjistroi kohën 9”86.

Fundi i oqeanit

E quanin “njeriu më i thellë i botës”: mes bëmave të shkencëtarit dhe eksploruesit zviceran, Jacques Piccard (1922-2008) ishin edhe disa zhytje rekord në thellësi. Studiuesi kishte një diplomë në ekonomi nga universiteti i Gjenevës, por mbi të gjitha një eksperiencë inxhinierike që e vuri në veprim kur bashkë me të atin, fizikanin dhe pionierin e eksplorimit në atmosferë të lartë, Auguste Piccard, ndërtoi batiskafin Trieste, me të cilin fitoi sfidën e thellësive duke prekur pikën më të thellë të oqeanit. Ndodhi në 26 janar 1960 në oqeanin Paqësor, ku ndodhet Gropa e Marianne (gropa më e thellë oqeanike). Atë ditë, Trieste arriti deri në 10902 metra nën nivelin e detit, duke mbajtur një trysni prej 1075 atmosferë. Nisma u bë e mundur nga marina amerikane, që në vitin 1957 e bleu batiskafin duke e marrë Piccard si konsulent. Në krah të tij, gjatë zbritjes ishte bashkëpiloti Don Ualsh. Zbritja në fundin e oqeanit zgjati pothuajse pesë orë dhe të dy qëndruan në fundin e oqeanit 20 minuta, para se të ngjiteshin, për më pak se tre orë. Përveç se teknologjike, kjo sipërmarrje ishte edhe shkencore: të dhënat e mbledhura edhe në misionet e mëvonshëm lejuan që të sqarohet morfologjia e thellësive të mëdha.

Fluturimi

I pari që e provoi ishte Ikari. Por të parët që ia dolën mbanë pas studimeve të Leonardo Da Vincit në shekullin 400 ishin vëllezërit Montgolfier, që në vitin 1783 u shkëputën nga toka franceze me balonën që do të merrte emrin e tyre. Një sukses që nisi garën për fluturimin e njeriut. Që një vit më vonë, italiani Paolo Andreani i imitoi në Milano. Dhe për një shekull u vazhdua të punohet me hipotezën e avionëve pa motorr, me krahë që në shumë raste viheshin në lëvizje me anë të forcës së pedaleve. Vetëm në fundin e Tetëqindës u kuptua që për të fluturuar njeriu duhej të ndihmohej nga një motorr, pasi nuk mjaftonte të besonte tek forca e muskujve. Zyrtarisht suksesi i parë i atribuohet vëllezërve amerikanë Wilbur dhe Orville Wright, që në 17 dhjetor 1903 në plazhin e Kitty Hawk në Karolinën e Veriut kryen fluturimin e parë me një mjet më të rëndë se ajri, i shtyrë nga një motorr me plasje (16 kuaj fuqi). Quhej “Flyer 1” dhe konsiderohet avioni i parë i historisë. Megjithatë, për shumëkënd, hera e parë i takon inxhinierit brazilian me origjinë franceze Alberto Santos Dumont: në vitin 1906 kreu fluturimin e parë me një avion në gjendje të “ngrihej” pa u shtyrë nga një katapultë.

Jan Palach

Një gjest fisnik, në dukje i kotë, por me një forcë mediatike në gjendje të trondiste ndërgjegjet dhe të shndërrohej në simbol të sfidës ndaj pushtetit. E ka kryer Jan Palach, student çekosllovak, që në vitin 1969 i vuri flakën vetes në sheshin San Venceslao të Pragës për të protestuar kundër shtypjes sovjetike. Diçka e ngjashme me tank man, djaloshi anonim që në Sheshin Tiananmen në Kinë, në vitin 1989 iu kundërvu i vetëm me trupin e tij përparimit të tankeve. Kriza në Cekosllovaki kishte nisur kur, në janarin e 1968, presidenti Alexander Dubcek kishte prezantuar të ashtuquajturin “socializëm me fytyrë njerëzore”, që solli Pranverën e Pragës. BRSS, duke iu druajtur një destabilizimi të bllokut sovjetik, dërgoi 600 mijë ushtarë dhe më shumë se 5 mijë mjete të blinduar. Represioni solli kundërshtimin me heshtje. I cili u thye në 16 janar 1969 kur Palach, 21 vjeç, u lye me benzinë dhe i vuri flakën vetes. Në funeralin e tij morën pjesë 600 mijë vetë.

Kolonat e Herkulit

Se ku kanë qenë Kolonat e Herkulit, nuk është e sigurtë: disa thonë se përkojnë me Ngushticën e Gjibraltarit, të tjerë me Kanalin e Siçilisë. E sigurtë është që për grekët nuk ishin një kufi i pakalueshëm: marinarët e lashtë, në kërkim të rrugëve të reja tregtare, natyrisht që lundronin në oqean të hapur. E bëri në shekullin IV para Krishtit greku i Marsejës (atëherë koloni helene) Pitea. Përshkrimi i plotë i udhëtimit të tij, i titulluar “Udhëtim përreth oqeanit” ka humbur. Por burime të lashtë na kanë përcjellë itinerarin: toka e Thule, që disa e identifikojnë me Islandën, të tjerë me Ishujt Faroe. Pitea lundroi pranë brigjeve në detet e veriut, tek të cilët mbërriti ndoshta nëpërmjet lumenjve nga Franca apo duke kaluar Ngushticën e Gjibraltarit. Po ai fliste edhe për diellin e mesnatës apo që kish parë detin të transformohej në një “lëndë të fortë” (domethënë akull), gjë që demonstron se duhet të ketë kaluar rrethin e arktikut.

Tunelet

Të kapërcesh malet duke kaluar poshtë dhe jo sipër tyre. Ishte një prej ëndrrave inxhinierike të ‘800, shekulli në të cilin njeriu nisi të modifikojë me anë të teknikës gjeografinë, duke filluar nga Kanali i Suezit. Në ato galeri do të kalonte mjeti që do të shndërrohej në simbol të të ardhmes: treni me avull. Tuneli i parë i madh hekurudhor bashkoi Francën me Italinë: evitonte ngjitjen dhe kapërcimin e Frejus (2541 metra) duke shpuar malin në afro 1300 metra lartësi. Ideja i erdhi një funksionari të doganës, piemontezit Giuseppe Medail. Inaugurimi, pas nëntë vitesh shpime e gërmime që kushtuan 70 milionë lireta (300 milionë euro sot) dhe punën e 4 mijë punëtorëve ndodhi në 17 shtator 1871: ishte vepra e parë e madhe e Italisë së bashkuar, që sapo kish lindur.

Tuneli i rekordeve ishte megjithatë ai i Sempiones që lidh Domodossolën në Itali dhe Brigan në Zvicër. I projektuar nga prusiani Karl Brandau u inaugurua në 24 shkurt 1905. Dhe me 19,803 kilometrat e tij ai ishte deri në vitin 1981 (kur u kalua për pak kilometra nga një galeri i Shinkansen, treni super i shpejtë japonez) tuneli më i gjatë hekurudhor i botës.

Gara drejt Poleve

Kanë qenë dy pushtimet më epike në planetin tonë gjatë shekullit që kaloi, përpara ngjitjes në hapësirë. E megjithatë, garat drejt Polit të Veriut dhe të Jugut, që kanë nisur që në 800, kanë qenë sfida të motivuara më shumë nga etja për para se sa nga kurioziteti shkencor. Anglezët, të parët që përballuan temperatura deri minus 70 gradë në Arktik dhe sipërfaqen e tij të paqëndrueshme, kërkonin në fakt një rrugë të navigueshme drejt Amerikës. Dhe amerikani Robert Peary, zyrtarisht i pari që ka arritur qëllimin ne 6 prill 1909, ishte i nxitur nga një etje e shfrenuar për lavdi. Një lavdi që erdhi, por e shoqëruar me shumë polemika. Një tjetër eksplorues amerikan, Frederick Cook kishte shpallur në fakt se kishte arritur tashmë qëllimin një vit më parë. Peary u quajt gjithësesi fitues, por në vitin 1969 britaniku Ually Herbert (i pari që ka arritur në këmbë) demonstroi që nëse Cook kishte gënjyer, edhe vetë Peary nuk kishte arritur objektivin, duke arritur pothuajse 96 kilometra larg nga Poli Verior gjeografik.

Mes njerëzve në garë për pikën më jugore të planetit ishte edhe norvegjezi Roald Amundsen. U mund në veri, por fitoi në jug: ekspedita e tij ia arriti qëllimit në 14 dhjetor 1911. Edhe ai kishte një konkurent krenar, anglezin Robert Scott, i cili megjithatë pati përvojën e hidhur që mbërriti në Polin e Jugut në 17 janar 1912, por gjeti aty flamurin norvegjez, përpara se të vdiste rrugës në kthim.

(Kosova Sot Online)