
Një ish-punonjëse e Ellen tregon makthin që ka përjetuar kur punonte në shtëpinë e saj

Pas akuzave se shfaqja e Ellen DeGeneres fsheh pas një ambient toksik pune të mbushur me racizëm dhe seksizëm, vjen një tjetër akuzë për moderatoren e famshme, e cila duket se s’po gjen qetësi kohët e fundit.
Një ish-punonjëse e shtëpisë së saj ka thënë se Ellen DeGeneres e trajton stafin që punon në shtëpinë e saj sikur “ata të mos jenë asgjë”.
Duke folur për The Daily Mail, punonjësja, e cila preferoi të mbetet anonime, tha: “Unë besoj se personaliteti i vërtetë i dikujt del në shtëpi. Kështu që pas gjithçkaje që është thënë për të në punë, mund ta imagjinoni sa e tmerrshme mund të jetë Ellen në shtëpi. Ndonjëherë ajo na bërtiste, por kishte të bënte më tepër me tonin tepër poshtërues që ajo përdorte. Na trajtonte sikur të mos ishim asgjë”.
Ish-punonjësja pretendon se Ellen “ngrinte kurthe” duke lënë fije shkrepëseje nëpër shtëpi për t’u siguruar që çdo sipërfaqe të ishte e pastruar.
“Ajo të torturonte dhe ti thjesht uleshe atje dhe do ta dëgjoje sepse paguheshe. Ellen është personi më i keq që kam takuar ndonjëherë në jetën time. Ajo kënaqet duke pushuar nga puna njerëzit […] Më thanë që duhet të shmangia sa më shumë kontakte të drejtpërdrejta me Ellen. Puna atje ishte më shumë si një kamp përqendrimi”, u shpreh ajo.
Sipas saj, Ellen mërzitej për gjëra të vogla si një kripore që nuk ndodhej në vendin e vet ose një dritë e lënë ndezur, duke e bërë stafin të jetë gjithmonë i stresuar, madje edhe të derdhë lot.
Një përfaqësues për Ellen reagoi për Page Six duke i mohuar këto pretendime dhe i quajti jo të vërteta, duke thënë:
“Ky ishte një person për të cilin Daily Mail tha që nuk mund ta verifikonin plotësisht nëse ka qenë pjesë e stafit, por ata e publikuan historinë gjithsesi. Shumë nga pretendimet në histori janë gjëra që janë publikuar më parë në media nga ‘burime’ të tjera dhe nuk janë absolutisht të vërteta.”
A është Ellen “e keqja e përrallës”?!
(Kosova Sot Online)