Dyshohet se nën vilën e kohës romake ndodhet një pajton me ar

  • 10 November 2015 - 19:45
Dyshohet se nën vilën e kohës romake ndodhet një pajton me ar

Vila e kohës ishte strehë e familjes së pushtetshme

“Kam dëgjuar që këtu nën këtë truall është i fshehur një pajton me ar. Nuk e di nëse kjo është e vërtetë apo jo, por thuhet se ata që e kanë pasur vilën duhet të kenë qenë të pasur shumë dhe kështu pasurinë e kanë groposur në truallin e tyre, andaj ndoshta edhe mund të ketë gjasa të ekzistojë një gjë e tillë”, është shprehur Arif Abiti

Kishte filluar të hapte një kanal për të rregulluar kanalizimin e shtëpisë, mirëpo duke gropuar kishte hasur në gurë të ndryshëm, madje edhe të mëdhenj rreth dy metra. Pavarësisht kësaj nuk ishte ndalur ende dhe kur kishte shkuar deri në një thellësi kishte parë një lloj muri të ndërtuar me pamje mjaft të mirë e që dukej interesant. Është ky Arif Abiti nga fshati Pestovë në komunë e Vushtrrisë, i cili tregon se si në oborrin e shtëpisë së tij mendohet  se kishte ekzistuar një vendbanim i vjetër, i cili i takon kohës romake. Sipas tij, në bazë të gërmimeve që janë bërë nga Instituti Arkeologjik është zbuluar se aty ka qenë një lloj vile romake. “Janë zbuluar pjesërisht themelet e një vile e quajtur Rusticae, që thuhet se ishte shtëpi tipike banimi e kohës romake dhe ishin të vendosura në fshatra larg qendrave urbane”, ka thënë ai.

Banja të punuara mjaft mirë

Arifi tregon se në bazë të asaj që kishte dëgjuar, thuhet se kjo vilë është e vjetër më shumë se 1500 vjet dhe, siç tregon ai, këto lloj vilash atëkohë ishin vetëm për njerëz të pasur. “Në bazë të asaj që kam dëgjuar, zakonisht ato vila ishin njëkatëshe  me oborr qendror. Po ashtu thuhet se ato kishin një arkitekturë antike romake dhe mjaft komplekse, duke u përbërë nga disa ambiente shoqëruese si banjë apo nga depozita të ujit të pijshëm”, është shprehur ai, duke treguar se nga kishte gërmuar.  “Thuhet se këto vila përfshinin një territor të gjatë  mbi 60 metra dhe po ashtu këto vila kishin korridore të gjata. Sipas asaj që kam dëgjuar vila në kulturën romake nënkupton një shtëpi luksoze në qytet që quheshin villae urbana, kurse në fshat villae rusticae, siç është kjo dhe që shërbenin si vendpushim apo vend relaksimi i familjeve të pushtetshme dhe të pasura romake”, ka shtuar ai. Tani shtëpia e Arifit gjendet mu në atë pjesë ku kohë më parë kishte qenë e ndërtuar kjo vilë dhe ai ishte i gatshëm që të lironte atë hapësirë nëse ka nevojë për gërmim. “Unë i kam thënë Institutit Arkeologjik se nëse dëshirojnë të hulumtojnë unë do ta lëshoj edhe shtëpinë, pavarësisht se ne këtu jemi të vendosur shumë kohë më parë dhe atëkohë nuk kemi parë ndonjë gjë, mirëpo gjatë hapjes së themeleve të shtëpisë iu tregova që kemi hasur në mure, disa sikurse dhoma e edhe banja të punuara mjaft mirë, gjë që ishte e çuditshme mjaft shumë për ne”, është shprehur ai. (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)