Hoti dhe Hyseni takohen me ambasadorët e shteteve të QUINT-it, këto janë temat që u diskutuan

  • A.P /
  • 25 September 2020 - 17:20
Hoti dhe Hyseni takohen me ambasadorët e shteteve të QUINT-it, këto janë temat që u diskutuan

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Koordinatori Shtetëror për Dialog, Skënder Hyseni, ka pritur sot në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it, bashkë me Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilët ka biseduar rreth aktualitetit politik dhe ekonomik në vend, si dhe për luftën kundër COVID-19.

Kryeministri Hoti theksoi se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, që përfundon me njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.

 Po ashtu, i njoftoi edhe për nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, e cila ndodhi më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, ku e cilësoi atë si një marrëveshje historike dhe me rezultate konkrete.

Më tej, kryeministri Hoti, u bëri të ditur se Ligji për rimëkëmbjen ekonomike mbetet të votohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilin e konsideroi si kontributin më të madh që do t’i bëhej qytetarëve dhe bizneseve në vend.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, ka vlerësuar maksimalisht rolin e shteteve të QUINT-it dhe të BE-së, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë shtetit të Kosovës, në të gjitha fazat e zhvillimit dhe të shtetndërtimit.


(Kosova Sot Online)