Makroni thotë se Lukashenko duhet të largohet nga pushteti

  • A.P /
  • 27 September 2020 - 11:32
Makroni thotë se Lukashenko duhet të largohet nga pushteti

Presidenti i Francës, Emanuel Makron, tha për gazetën “Journal du Dimanche” se homologu i tij bjellorus, Aleksander Lukashenko, duhet ta pranojë logjikën e demokracisë dhe të largohet nga pushteti.

Bjellorusia, ish-republikë sovjetike dhe aleate e ngushtë e Rusisë, është përfshirë nga protestat që nga gushti, kur autoritetet thanë se Lukashenko i fitoi zgjedhjet me epërsi të lartë dhe e siguroi mandatin e gjashtë në krye të vendit.

Më shumë se 12,000 protestues janë arrestuar që nga mbajtja e zgjedhjeve, të cilat opozita i cilësoi si të manipuluara, shkruan Reuters

“Jemi dëshmitarë të një krize të pushtetit në Bjellorusi me një administratë autoritare që nuk po mund ta pranojë logjikën e demokracisë. Është e qartë që Lukashenko duhet të shkojë”, tha presidenti francez.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Bjellorusisë, Vladimir Makei, i ka akuzuar vendet perëndimore për përpjekje për të mbjellur kaos dhe anarki në ish-republikën sovjetike.

Të enjten, Bashkimi Evropian tha se Lukashenko nuk është president i Bjellorusisë. Rusia tha se vendimi i BE-së për të mos e njohur Lukashenkon në postin më të lartë të vendit paraqet ndëryrje të tërthortë në çështjet e Bjellorusisë.

(Kosova Sot Online)