Azerbajxhani thotë se do të bombardojë brenda Armenisë

  • A.P /
  • 04 October 2020 - 15:19
Azerbajxhani thotë se do të bombardojë brenda Armenisë

Tensionet në konfliktin e armatosur në rajonin Nagorno-Karabak janë rritur edhe më shumë pas paralajmërimit të Azerbajxhanit për bombardimin e caqeve ushtarake brenda territorit të Armenisë.

Një ndihmës i presidentit azer, Ilham Aliyev, tha se Azerbajxhani do t’i shkatërrojë caqet ushtarake në Armeni, të cilat po përdoren për sulme ndaj qyteteve azere, shkruan Reuters.

Autoritetet në Azerbajxhan thanë më herët se një civil është vrarë në qytetin e dytë më të madh, Ganja, nga një raketë e forcave armene. Sidoqoftë, Armenia mohoi se e ka sulmuar këtë qytet.

Konflikti i armatosur mes dy vendeve rivale filloi në fund të javës së kaluar. Më shumë se 220 persona janë vrarë që nga shpërthimi i dhunës.

Ekziston frika se numri i vërtetë i viktimave në mesin e personelit ushtarak dhe civilëve është më i lartë pasi shifrat e paraqitura nga palët e konfliktit nuk janë vërtetuar në mënyrë të pavarur.

Marrëdhëniet mes dy vendeve të Kaukazit Jugor janë të tensionuara që nga vitet e nëntëdhjeta, kur Armenia e kishte marrë kontrollin në Nagorno-Karabak, rajon që nga komuniteti ndërkombëtar njihet si pjesë e Azerbajxhanit.

Më herët gjatë kësaj jave, Armenia tha se është e gatshme të angazhohet me ndërmjetësit nga Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara në përpjekje për të arritur një armëpushim.

Ndërkohë Azerbajxhani, i cili përkrahet haptazi nga Turqia, e ka kërkuar tërheqjen e trupave armene nga Nagorno-Karabaku dhe zonat e pushtuara përreth këtij rajoni.

(Kosova Sot Online)