Shënohet vdekja e parë në botë nga koronavirusi e një personi të infektuar për herë të dytë

  • G.G /
  • 13 October 2020 - 14:58
Shënohet vdekja e parë në botë nga koronavirusi e një personi të infektuar për herë të dytë

Një grua 89-vjeçare nga Holanda besohet se është bërë personi i parë në botë që vdes nga infektimi i dytë me koronavirus.

Gruaja, e cila ishte duke marrë trajtim kundër kancerit, u konfirmua si e infektuar me një tip gjenetikisht të ndryshëm të koronavirusit në dy raste të ndara, të cilat i ndodhën në distancë kohore prej dy muajsh.

Pasi kishte dalë pozitive në testin për Covid-19 për herë të parë, ajo ishte dërguar në spital me simptoma si temperatura dhe kolla. Sidoqoftë, gjendja i ishte përmirësuar, simptomat i ishin zhdukur dhe zonja e moshuar ishte kthyer në shtëpi pas pesë ditësh.

Ajo më pas u dërgua përsëri në spital 59 ditë më vonë, vetëm dy ditë para se të fillonte një trajtim me kimioterapi kundër kancerit. Ajo doli përsëri pozitive në testin për koronavirus dhe vdiq tri javë më vonë.

Mjekët që e shkruan raportin për këtë paciente thanë se mostrat nga dy testet ishin të ndryshme gjenetikisht dhe pretenduan se rasti i dytë ishte më tepër riinfektim sesa paraqitje e zgjatur e pasojave nga rasti i parë.

(Kosova Sot Online)