Policia do të hapë rast ndaj priftit serb që largoi flamurin shqiptar në Koshare

  • A.P /
  • 15 October 2020 - 16:46
Policia do të hapë rast ndaj priftit serb që largoi flamurin shqiptar në Koshare

Një prift serb ka hequr një flamur shqiptar që qëndronte në kullën e vrojtimit në Koshare, teksa kishte përfunduar një ecje prej mbi 7 orë. Pas raportimit të mediave, Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes.

Në një përgjigje zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj tha se në orën 15:00, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe flamuri ka qenë aty, pra nuk ishte larguar.

Po ashtu Xhurkaj tha se do të inicohet rast ndaj priftit serb për veprën penale ‘krim i urrejtjes’.

“Patrulla policore para orës 15:00 ka shkuar ne vendngjarje dhe flamuri ka qenë i vendosur aty.  Po pritet që hetuesit me dalë në vend ngjarje dhe në konsultim me prokurorin do të inicohet rast ndaj priftit për veprën penale ‘krimi i urrejtjes’”, tha Xhurkaj.

Në një video të publikuar nga gazeta serbe “Novosti”, prifti, i shoqëruar nga dy miq të tij, u ngjit në tavanin e kullës dhe hoqi flamurin shqiptar, që kishte ngelur atje që nga koha e luftës.

“Meqenëse isha sipër, pashë drejt flamurin, atë shqiptar, i cili fluturon nga kulla e vrojtimit që nga viti 1999, pas tërheqjes së ushtrisë sonë. Disa emocione më pushtuan dhe iu afrova dhe e hoqa”, ka thënë prifti serb. 

(Kosova Sot Online)