COVID-19 po kthehet edhe në Kinë, shënohet numri më i madh i rasteve në dy muajt e fundit

  • E.K /
  • 28 October 2020 - 08:56
COVID-19 po kthehet edhe në Kinë, shënohet numri më i madh i rasteve në dy muajt e fundit

Kina i ka regjistruar 42 raste të reja të personave të infektuar me koronavirus në 24 orët e fundit. Kjo është shifra më e lartë ditore në dy muajt e fundit.

Autoritetet shëndetësore thanë se kjo rritje erdhi si pasojë e shtimit të rasteve në rajonin veriperëndimor, Xinjiang, shkruan The Guardian.

Shifra e fundit është më e larta që nga data 10 gusht, kur në Kinë ishin raportuar zyrtarisht 44 raste të infeksioneve për një ditë.

Ndryshe, Kina është vendi ku u regjistruan rastet e para të koronavirusit në botë në dhjetor të vitit të kaluar. Sëmundja COVID-19, e shkaktuar nga virusi SARS-CoV-2, u përhap shpejt në pjesët e tjera të botës.

Disa vende, sidomos Shtetet e Bashkuara dhe Australia, kanë shfaqur dyshime në lidhje me reagimin e autoriteteve kineze në fazën e hershme të përhapjes së virusit, duke hedhur akuza për fshehje të rasteve. Ato madje kanë bërë thirrje për hetime ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje.

Megjithatë, pushteti komunist në Kinë ka thënë se e ka menaxhuar me sukses situatën dhe mburret me atë që e cilëson si triumf ndaj koronavirusit.

(Kosova Sot Online)