Senati i SHBA-së nis rezolutë për ta shpallur gjenocid trajtimin e myslimanëve ujgurë në Kinë

  • G.G /
  • 28 tetor 2020 - 13:07
Senati i SHBA-së nis rezolutë për ta shpallur gjenocid trajtimin e myslimanëve ujgurë në Kinë

Senatorët amerikanë po synojnë që përmes një rezolute ta shpallin gjenocid trajtimin që Kina po ua bën pakicës ujgure dhe komuniteteve tjera myslimane që flasin gjuhë turkike pas dyshimeve se rreth një milion njerëz po mbahen të mbyllur në kampe të ndalimit.

Në tekstin e kësaj rezolute, e cila ende nuk është miratuar, thuhet: “Fushata e Kinës kundër ujgurëve, kazakëve, kirgizëve dhe pjesëtarëve të grupeve tjera të pakicës myslimane në rajonin autonom ujgur të Xinjiangut përbën gjenocid”, shkruan The Guardian.

Kjo rezolutë u paraqit të martën nga senatorë të dy partive amerikane, ndonëse ka pak gjasë që të miratohet së shpejti për shkak se Senati tani nuk është funksional deri pas zgjedhjeve presidenciale.

Senatori John Cornyn, i cili vjen nga radhët e Partisë Republikane dhe që e përkrahu këtë nismë, tha: “Kjo rezolutë i njeh këto krime ashtu siç janë dhe është hapi i parë për ta mbajtur Kinën përgjegjëse për veprimet e saj të llahtarshme.”

Senatori demokrat, Jeff Merkley, tha se rezoluta e nisur do të tregojë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të qëndrojnë të heshtura për këtë çështje. “Sulmi i Kinës ndaj ujgurëve dhe grupeve tjera të pakicës myslimane – vëzhgimi, burgosja, tortura dhe kampet e detyrueshme të riedukimit – është gjenocid, qartë dhe thjeshtë”, tha ai.

Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se mbi një milion ujgurë lëngojnë në kampet në rajonin Xinjiang, sepse Pekini mundohet që me forcë ta integrojë këtë komunitet në kulturën kineze dhe t’ia zhdukë trashëgiminë islame.

Sidoqoftë, Kina e ka mohuar këtë shifër dhe këto kampe i ka përshkruar si qendra të aftësimit profesional, ku njerëzve u mësohen aftësitë për ta parandaluar joshjen nga radikalizmi islamik pas një vargu sulmesh.

Ndryshe, presidenti amerikan, Donald Trump, i ka kritikuar kampet ku po mbahen ujgurët dhe ka vendosur sanksione ndaj sekretarit rajonal të Partisë Komuniste në Xinjiang, Chen Quanguo, por trajtimin e kësaj pakice nuk e ka shpallur gjenocid deri më tani.

(Kosova Sot Online)