“Avni Mula trajtohej me oksigjen në shtëpi”, nipi rrëfen dëshirat dhe ditët e fundit të tij

  • A.P /
  • 29 October 2020 - 22:50
“Avni Mula trajtohej me oksigjen në shtëpi”, nipi rrëfen dëshirat dhe ditët e fundit të tij

Osman Mula, nipi i të madhit Avni Mula, zbuluon diçka më tepër se si i përjetoi ditët e fundit duke thënë se gjendja e tij shëndetësore ishte e rënduar dhe mbahej me oksigjen. I kontaktuar nga Fax News, Mula rrëfeu cilat ishin dëshirat më të mëdha në jetën e Avni Mulës, një pjesë të të cilave i arriti me vajzën e tij Inva.

“Ditën e fundit nuk e kam takuar se ishte me oksigjen në shtëpi. Kujdesi i është bërë nga familjarët në mënyrë të shkëlqyer që kanë pasur kujdes të përhershëm dhe të përditshëm. E gjithë jeta e tij ka qenë pranë të tjerëve dhe finalja duhet të ishte që të tjerët që të ishin pranë tij. Janë disa probleme të tijat që mbase dhe mund të kishte ndonjë rezervë të vetën, por përgjithësisht i realizoi disa detyra që kishte në plan.

Lexo Edhe:

U prehsh në paqe Avni Mula! Politika jep mesazhe ngushëllimi

Ai kishte dëshirë që të shkonte me Ninën në Konservatorin ku kishte mbaruar shkollën dhe pati emocione se bashkë me Ninën u futën sërish në ato klasa e korridore. Ballafaqimi tjetër është kur Inva dha shfaqje në teatrin më të madh në Moskë dhe tha jam vajzë e dy prindërve, një nga Shqipëria që studioi këtu dhe një ruse që shkolla i njohur me njëri-tjetrin dhe jam pjesë e tyre. E gjithë salla duartrokiti.

Ai kishte shumë dëshirë që të jepte një shfaqje në qytetin e Gjakovës, të cilin ai dhe familja ime e ka përmendur në të gjithë historikun e vet. Të gjithë e donin shumë sepse të tjerët ishin pedagogë mësues. Avniu u mor me artin dhe të gjithë i kishim sytë nga ai. para se të shkonte jashtë, ishte ndër sportistët më të mirë në Shkodër.

E kishte peng dhe arriti të jepte shfaqje me gjithë Invën në sallën e Gjakovës. Të shohësh nipat dhe motrën që kishin vite pa i parë është emocion. Shumë gjëra që nuk arriti me i ça në skenë, shumë gjëra që kishte dëshirë i realizoi brenda familjes”, tha Osman Mula.

Ndërsa muzikanti Zhani Ciko u shpreh se kishin planifikuar të takoheshin së shpejti, por pandemia e koronavirusit i pengoi që të realizonin takimin e tyre të fundit. Duke folur për Fax News, Ciko tha se bisedën e tij të fundit e pati para një jave, ndaj humbja e Avni Mulës i erdhi në mënyrë të parpitur, pavarësisht moshës.

“Një lajm i hidhur, pavarësisht nga mosha, duket i papritur sepse ndarja nga jeta e njerëzve të mëdhenj, janë gjithmonë të papritur. Kujtoj bisedën e fundit që mund të jetë para një jave dhe gjithmonë në këto kushte, në një takim që shpresonim të realizonim pas situatës së vështirë që po kalon njerëzimi. Mu duk e papritur që erdhi në këtë mënyrë. Avni Mula është njeri dinamik, e jetoi jetën e tij deri në momentin e fundit dhe shëndeti i tij çedoi dhe për familjarët që e kanë ndjekur nga afër. Edhe Avniu si babai si kolona e familjes ka merita të mëdha jo vetëm për kultivimin e vetes së tij si krijues që iu dedikua krijimtarisë artistike jo vetëm në gjininë e këngës por në të gjitha”, tha Ciko.


(Kosova Sot Online)