
Pamje nga skenat e sulmit terrorist në Vjenë

Katër njerëz kanë vdekur pasi disa terroristë të armatosur hapën zjarr në gjashtë lokacione të ndryshme në qendër të kryeqytetit austriak, Vjenë, të hënën në mbrëmje.
Një i dyshuar u qëllua për vdekje nga policia dhe zyrtarët thonë se të paktën një tjetër është në arrati. Kancelari austriak, Sebastian Kurz, e cilësoi këtë akt si sulm të neveritshëm terrorist.
Të shtënat ndodhën vetëm disa orë para se Austria të vendoste kufizime të reja kombëtare në përpjekje për të ndaluar rastet në rritje të koronavirusit.
Shumë njerëz ishin duke e shijuar ndejën në bare dhe restorante, të cilat tani janë mbyllur deri në fund të nëntorit. Nuk ishte menjëherë e qartë se sa sulmues morën pjesë në të shtëna.
Policia tha se incidenti filloi pranë sinagogës Seitenstettengasse, e cila është tempulli kryesor në Vjenë edhe pse nuk është ende e qartë nëse Sinagoga ishte shënjestra.
Policia i bllokoi rrugët përreth qendrës së qytetit. Një numër i madh i forcave policore u pa pranë shtëpisë së operas me famë botërore që gjendet në Vjenë.
Ministri i Brendshëm, Karl Nehammer, tha: “Kjo është gjëja më e vështirë që i ka ndodhur Austrisë. Kemi të bëjmë me një sulm terrorist, ashpërsinë e të cilit nuk e kemi provuar në Austri për një kohë të gjatë.”
(Kosova Sot Online)