Irani kërcënon me sulm Emiratet e Bashkuara Arabe nëse e sulmon ShBA-ja

  • A.P /
  • 02 December 2020 - 16:01
Irani kërcënon me sulm Emiratet e Bashkuara Arabe nëse e sulmon ShBA-ja

Irani ka dërguar mesazh të drejtpërdrejt kërcënues në Emiratet e Bashkuara Arabe se do ta sulmojë këtë shtet në rast se republika islamike sulmohet nga Shtetet e Bashkuara prej territorit të Emirateve.

Një faqe e lajmeve me bazë në Londër, e quajtur “Middle East Eye”, raportoi se Teherani e ka kërcënuar princin e Abu Dabit, Mohammed bin Zayed, se Irani do t’i sulmojë Emiratet e Bashkuara në rast se sulmohet nga forcat amerikane duke e shfrytëzuar territorin e Emirateve të Bashkuara.

“Do të ju mbajmë juve përgjegjës për vrasjen e Fakhrizadeh-s”, raportohet se shkruhet në mesazhin kërcënues të Iranit drejtuar Emirateve të Bashkuara, duke iu referuar shkencëtarit bërthamor të Iranit që u vra javën e kaluar.

Sipas kësaj faqeje, Irani e kontaktoi personalisht princin Bin Zayed vetëm disa orë para se Emiratet e Bashkuara të dilnin me një deklaratë për dënimin e vrasjes së shkencëtarit, të cilën Ministria e Jashtme e cilësoi si akt që mund ta nxisë konfliktin në rajon.

Izraeli i ka vënë diplomatët dhe ambasadat në gjendje të lartë alarmi për shkak të frikës nga hakmarrja e Iranit, i cili e ka fajësuar shtetin izraelit për vrasjen e shkencëtarit të rëndësishëm, shkruan Anadolu.

Mediet izraelite gjithashtu raportuan se zyrtarët e sigurisë në Izrael janë të shqetësuar se shtetasit izraelitë mund të rrezikohen nga aktet e hakmarrjes në Emiratet e Bashkuara.

Ndryshe, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe vendosën raporte diplomatike përmes marrëveshjes së përkrahur nga Shtetet e Bashkuara që u nënshkrua në muajin shtator.

Irani e ka kritikuar ashpër këtë marrëveshje, duke thënë se Emiratet e Bashkuara e kanë tradhtuar popullin palestinez duke vendosur raporte me “regjimin zionist” – referencë e Iranit për Izraelin.

(Kosova Sot Online)