Kishte kërcënuar bashkëatdhetarin, policia ndjek shqiptarin

  • A.P /
  • 03 December 2020 - 23:29
Kishte kërcënuar bashkëatdhetarin, policia ndjek shqiptarin

Një 21-vjeçar shqiptar në Casaluce të Italisë është arrestuar nga policia pas një ndjekje ku pati edhe shkëmbim zjarri. Uniformat blu u vunë në ndjekje të tij pasi një natë më parë një tjetër shqiptar denoncoi se ishte kërcënuar nga 21-vjeçari më shumë se një herë në një piceri në Frignao.

Ai i tha policisë se pranë shtëpisë së tij kishte parë shqiptarin bashkë me një person tjetër, të cilët po qëndronin brenda një automjeti. Oficerët nisën menjëherë hetimin për të gjendur vendndodhjen e makinës, shkruan media italiane.

Sapo panë policinë dy personat u larguan me shpejtësi. Blutë u vunë në ndjekje të tyre dhe sapo arritën në Komunën e Teverolas mes tyre pati shkëmbim zjarri. Ndjekja mori fund kur makina me të cilën udhëtonte 21-vjeçari u përplas me atë të policisë. Nga shkëmbimi i zjarrit nuk pati të lënduar ndërsa dy personat u vunë në pranga.


(Kosova Sot Online)