Irani thotë se ka arrestuar disa persona për vrasjen e shkencëtarit bërthamor

  • E. /
  • 09 December 2020 - 13:01
Irani thotë se ka arrestuar disa persona për vrasjen e shkencëtarit bërthamor

Një këshilltar parlamentar i Iranit ka thënë se autoritetet iraniane kanë arrestuar disa individë të përfshirë në vrasjen e shkencëtarit të lartë bërthamor të këtij vendi, Mohsen Fakhrizadeh.

Këshilltari Amir Abdollahian i tha një televizioni lokal se nuk ka mundësi që t’i tregojë hollësitë për arsye sigurie, por shtoi se autorët e vrasjes nuk do t’i shmangen drejtësisë.

“Disa nga individët e përfshirë në këtë vrasje janë identifikuar nga aparati ynë i sigurisë dhe janë arrestuar”, tha ai.

Ai gjithashtu tha se ka dëshmi që e vërtetojnë përfshirjen e Izraelit. Në anën tjetër, Izraeli as nuk e ka konfirmuar, as nuk e ka mohuar përfshirjen në vrasjen e shkencëtarit, shkruan BBC.

Shkencëtari Fakhrizadeh u vra afër kryeqytetit Teheran më 27 nëntor. Autoritetet iraniane kanë dhënë raporte kundërthënëse për mënyrën e vrasjes së tij përderisa po udhëtonte nëpër një rrugë të qytezës Absard.

Në ditën e sulmit, Ministria e Mbrojtjes tha se ka pasur luftime mes truprojave të shkencëtarit dhe disa personave të armatosur. Në një raport, dëshmitarët citohen të kenë thënë se tre ose katër sulmues janë vrarë.

Sidoqoftë, të dielën, një komandant i lartë i Rojave Revolucionare tha se një armë e kontrolluar me satelit dhe inteligjencë artificiale e ka sulmuar veturën në të cilën ndodhej shkencëtari Fakhrizadeh.

Ky pretendim nuk është vërtetuar në mënyrë të pavarur dhe është pritur me skepticizëm nga ekspertët e luftimit me pajisje elektronike.

(Kosova Sot Online)