Beteja për shefin e shtetit: Zgjedhjet e jashtëzakonshme, skenari drejtë të cilit po shkon Kosova

  • E.K /
  • 09 December 2020 - 14:47
Beteja për shefin e shtetit: Zgjedhjet e jashtëzakonshme, skenari drejtë të cilit po shkon Kosova

LDK-ja duket se është dorëzuar në përpjekjen për pajtimin e sferës politike lidhur me çështjen e presidentit. Për postin më të rëndësishëm të shtetit ka nisur një luftë mes AAK-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Ish-partnerët e koalicionit nuk po i ndalin akuzat, e afati për të vendosur për këtë temë po ecën. Derisa këto dy subjekte po thonë se s’ia pranojnë njëra-tjetrës propozimet, Lëvizja Vetëvendosje është duke kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani tashmë i ka bërë një muaj prej kur është duke udhëhequr në pozitën më të rëndësishme të shtetit.

Në këtë pozitë, u.d e presidentit mund të qëndrojë edhe pesë muaj nëse situata politike në vend vazhdon të qëndrojë e njëjtë.

Nuk ka sinjale se ndonjë skenar do të mund t’i ulte së bashku apo t’i pajtonte partitë politike që të vendosin për ndonjë person që mund të emërohet president. Sido që të bëhen matematikat, asnjë kombinim nuk do të mund të arrijë votat që i duhen, pa një skenar që dikush mund ta konsiderojë të dhimbshëm.

Partia që udhëheq Qeverinë, LDK-ja sot e ka pranuar se ka dështuar në përpjekjen për pajtimin e subjekteve që të vendosin për një president unifikues.

Për herë të parë pas krejt zhvillimeve, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se po shkohet drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Ka deklarata dhe këmbëngulje publike se votojnë vetëm kandidatin e tyre për president dhe jo të një subjekti tjetër. Kjo dëshmon se beteja po zhvillohet në media dhe në debate, por se akoma nuk ka gatishmëri për tryezë. Koha po ikën dhe po rrëshqasim në zgjedhje”, u shpreh sot Isa Mustafa.

Vetë Mustafa ka kohë që nuk është takuar me AAK-në, partnerin kryesor në Qeveri me të cilën nuk po pajtohet pas propozimit të Ramush Haradinajt për president të Kosovës.

Bash në kohën kur AAK-ja po kërkonte vota për Haradinajn, Mustafa në këtë temë e inkuadroi PDK-në. Partia që deri javë më parë udhëhiqej nga Kadri Veseli, sipas kreut të LDK-së duhet ta ketë postin e presidentin, si subjekti i dytë më i madh në Kuvend.

Me gjasë kjo deklaratë i ka acaruar edhe më tutje raportet mes partnerëve, në Qeverinë, fati i të cilës tashmë lidhet edhe me vendimin që do të nxjerrë Gjykata Kushtetuese e Kosovës për voten e Etem Arifit.

Por, paknaqësitë që po i shfaqin në qëndrime politike, ditëve të fundit janë ashpërsuar më shumë në mes të AAK-së dhe PDK-së.

Kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj tha se një Kosovë e ka sharë pas koalicionit me PDK-në që e ka quajtur “Pronto”.

“Këta që po thonë Ramushi të na kthejë borxhin që e kemi bërë kryeministër. I kam nxjerrë prej opozitës kur e kam bërë PAN-in, më ka shajtë një Kosovë që jam bërë me hajnat e ‘Pronto-s’, i kam nxjerrë prej opozitës i kam pru në pushtet. Kur janë ardhë në pushtet, janë mundu me më rrëzu përditë pse, për njëfarë takse. Këta njerëz janë që ta kanë maru Gjykatën Speciale, jam pas dalë në foltore e iu kam thënë, o mos e bëni se je kah maron monstrum, je kah ia jep Gjykatë Kushtetuese, je tu e bë njëetnike, je t`u e bë jashtë vendit. Këta njerëz thonë na ke borxh. O nuk të kam borxh, po më vjen keq po unë kam njerzillak, po e ke marr vetën në qafë në vazhdimësi e nuk po du me të lënë me gabu, me na bë tollovi në vend”, ka thënë ai.

Haradinaj madje ka thënë se për presidentin është pajtuar me ish-kreun e PDK-së në takimet që ka pasur me të dhe ish-presidenti Hashim Thaçi, para se të arrestoheshin nga Haga.

Këto pretendime i kanë kundërshtuar në vazhdimësi në Partinë Demokratike, derisa, sot një mesazh Haradinajt ia çoi edhe Enver Hoxhaj, ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk shantazhohet dhe as nuk do të lejojë që dikush ta marr peng shtetin e Kosovës. Jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë me çdo parti politike paralamentare që ta tejkalojmë krizën institucionale në vend dhe ta zgjedhim njëë president dinjitoz që i shërben unitetit të brendshëm dhe thellon partneritetin me aleatët tonë. Por, PDK nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë”, ka shkruar në Facebook sot Hoxhaj duke thënë se kushdo që kërkon votat e deputetëve të PDK-së duhet ta kuptojë që në atë propozim e ka edhe kandidatin e këtij subjekti.

Rol në betejën për çështjen e presidentit është duke luajtur edhe Nisma Socialdemokrate, që së fundmi është fuqizuar me deputetë në Kuvend të Kosovës.

Edhe në këtë parti që është pjesë e koalicionit po thonë se kryetari i tyre, Fatmir Limaj është më i përshtatshmi për t’u bërë president.

Deri më tani asnjë nga skenarët e mundshëm nuk shihet si i mjaftueshëm për t’i pajtuar palët. Nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk sjell ndonjë situatë të re politike në vend, situata mund të vazhdojë që të qëndrojë e komplikuar deri atëherë kur të bashkohen forca të ndryshme për të siguruar shumicën për punën e presidentit.

Partia që udhëhiqet nga Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, të pyetur nëse do të përkrahnin ndonjë kandidat, thanë se nuk do t’i bashkohen asnjë propozimi, nëse njëherë nuk do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

(Kosova Sot Online)