Njeriu i afërt i Trumpit në Senat uron Bidenin për fitoren në zgjedhje

  • A.P /
  • 15 December 2020 - 17:33
Njeriu i afërt i Trumpit në Senat uron Bidenin për fitoren në zgjedhje

Udhëheqësi i shumicës në Senatin amerikan republikani Mitch McConnell ka uruar presidentin e zgjedhur demokrat, Joe Biden, zëvendëspresidenten Kamala Harris për fitoren në zgjedhjet e 3 nëntorit duke i dhënë fund heshtjes së tij të gjatë për rezultatin e garës presidenciale, shkruan Reuters.

Në fjalën e tij në Senat, McConnell pranoi fitoren e Demokratëve në Shtëpinë e Bardhë pas rezultatit zyrtar të së hënës të lëshuar nga Kolegji Zgjedhor.

Në një fjalim gati 10 minutësh që vlerësonte kryesisht mandatin e Presidentit Republikan Donald Trump në detyrë, McConnell u mbyll duke thënë: “Sot unë dua të përgëzoj Presidentin e zgjedhur Joe Biden”, duke shtuar se “ai i është përkushtuar shërbimit publik për shumë vite. ”

McConnell, duke thënë se ai kishte shpresuar për një “rezultat tjetër” në zgjedhjet e 3 nëntorit, gjithashtu tha, “Të gjithë Amerikanët mund të krenohen që kombi ynë ka një nënkryetare grua të zgjedhur për herë të parë.”

Që nga fillimi i nëntorit, McConnell ka injoruar presionin për të njohur fitoren e Biden, duke thënë se Trump kishte të drejtë të ndiqte sfida ligjore për rezultatin e zgjedhjeve.

Të hënën, Kolegji Zgjedhor konfirmoi rezultate që ishin të dukshme që nga 7 nëntori se Trump nuk kishte asnjë rrugë për të fituar zgjedhjet pavarësisht pretendimeve të tij të përsëritura, të pabazuara për mashtrim zgjedhor, të cilat ai përsëriti të hënën.

(Kosova Sot Online)