Zemaj nuk ua hapë telefonin punëtorëve

  • A.P /
  • 15 December 2020 - 20:15
Zemaj nuk ua hapë telefonin punëtorëve

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nuk i’u është përgjigjur sot punëtorëve teknik në lidhje me kërkesat e tyre për shtesat në pagesa. Këta të fundit kanë vendosur që ta vazhdojnë edhe më tej grevën, derisa paralajmërojnë edhe masa tjera nga dita e enjte.

Rreth 2000 punëtorë teknikë në institucionet publike shëndetësore në vend, nga dita e djeshme kanë hyrë ne grevë për shkak të mosrespektimit të kërkesave për pagesat shtesë nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Edhe pse kërkesat e tyre u panë të arsyeshme nga ana e ministri të Shëndetësisë, Armend Zemaj, ato nuk u morën parasysh as sot.

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, ditën e djeshme i kishte dhënë afat Qeverisë së Kosovës që deri sot të merr një vendim për ta.

Megjithatë, nga kjo e fundit kanë thënë sot për Express se me këtë çështje është duke u marrë ministri Zemaj dhe Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.

Mirëpo, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë për Express, se përkundër që sot i kishin premtuar një shpjegim për formën e bartjes së mjeteve financiare, as Zemaj dhe as Krasniqi nuk ua kanë hapur atyre telefonin.

Ai është shprehur se punëtorët teknik janë të vendosur dhe greva do të vazhdojë edhe më tej.

Sipas tij, nëse deri të enjten nuk merret një vendim, atëherë veprimet e tyre do të radikalizohen.

“Edhe përkundër që sot kanë premtuar se në mesditë do të japin një shpjegim për formën e bartjes së mjeteve, ata nuk e kanë hapur telefonin. Në teren kanë filluar tensionet. Greva ka filluar me intensitet këmbëngulës, 98 për qind e punëtorëve i kemi në grevë. Në QKUK pjesa më e madhe e punëtorëve, përkundër presionit po e respektojnë grevën”, ka thënë ai.

Azemi ka deklaruar se nuk do ta ndalin grevën derisa të ju vie një dokument zyrtar përmes të cilit do të plotësohen kërkesat e tyre.

“Është marrë një vendim 100 për qind për greva. Vetëm kur kemi një dokument garantues zyrtar do të ndalet greva. Punëtorët janë më këmbëngulës dhe të vendosur. Pagesat duhet të bëhen, ky është diskriminim në raport me punëtorët”, ka theksuar ai.

Kompania e pastrimit i kërcënon punëtorët, për çdo ditë që nuk punoni, jua ndalim nga 20 euro

Derisa janë të vendosur në kërkesat e tyre, Azemi ka treguar për Express se punëtorët teknik në spitale kanë pasur presion edhe nga kompanitë e pastrimit.

Ai ka thënë se një nga kompanitë e pastrimit i ka kërcënuar ata se nëse nuk punojnë do të ja ndalin nga paga çdo ditë nga 20 euro.

“Ne kemi një shkelje ligjore në raport me grevën nga kompania e ambientit e cila e ka lëshuar një njoftim për punëtorët që për çdo ditë që nuk punojnë do ja ndalin nga 20 euro. Kjo paraqet edhe shkelje ligjore”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se në momentin që do të ndërpritet greva do të ju drejtohen inspektoratit për këtë vendim të kompanisë.

Azemi ka shtuar se edhe pse gjendja në spitale sa i përket pastërtisë nuk është e mirë, ata do të vazhdojnë të qëndrojnë në grevë edhe më tej.

(Kosova Sot Online)