Disa parti kërkojnë që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt, KQZ-ja kërkon më shumë kohë

  • S.A /
  • 30 December 2020 - 14:21
Disa parti kërkojnë që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt, KQZ-ja kërkon më shumë kohë

KQZ-ja po kërkon më shumë kohë që të përgatitet më mirë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ndërkohë disa parti po kërkojnë që data për mbajtjen e tyre të caktohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani do t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme posa ta marrë aktgjykimin e plotë nga Gjykata Kushtetuese. Ajo i takoi ndaras përfaqësuesit e partive politike të martën dhe të mërkurën e javës që shkoi, për të diskutuar lidhur me datën më të favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ishte i pari që u ftua për konsultime nga Vjosa Osmani, pas takimit tha se zgjedhjet, të cilat sipas tij janë të domosdoshme, duhet të mbahen sa më herët që është e mundur. Kurti tha se nuk kishin diskutuar ndonjë datë konkrete, por që dëshirojnë që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt.

“Ne shprehëm interesimin tonë si subjekt politik që për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë të kemi një datë e cila në harkun kohor të mundshëm, të jetë sa më e hershme… Ne nuk kemi folur për ndonjë datë konkrete, por vetëm kemi shprehur interesimin tonë që në harkun kohor të mundshëm të jetë sa më e hershme data, pra, sa më e afërt e diela e zgjedhjeve të ardhshme në harkun e caktuar kohor, që varet nga dita kur neve do të na vije aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kurti.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës e shohin 7 shkurtin si datën kur do të mund të mbaheshin zgjedhjet. Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Arban Abrashi, pas takimit me Osmanin ka thënë se janë të gatshëm për zgjedhje, duke e përmendur edhe janarin si një mundësi për mbajtjen e tyre.

“Ju e dini që ne si LDK edhe më herët kemi deklaruar se jemi të gatshëm për zgjedhje, duke e patë kontekstin politik dhe rrethanat politike në të cilat është diskutuar dhe janë zhvilluar rrethanat politike. Shpeshherë kemi përmend se zgjedhjet duhet të mbahen edhe në janar, në mënyrë që procesi zgjedhor, certifikimi me ankesa e të gjitha të përfundojë në kuadër të mandatit kushtetueses të ushtrueses së presidentit. Prandaj të mos kalohet kjo dhe të mos kalojmë në një paqartësi kushtetuese… E kemi përmend janarin edhe më herët… Datat të cilat sot i kam përmend ka qenë data 7 shkurti, d.m.th. 40 ditë pas dy-tri ditëve pasi ta kalojmë buxhetin, prandaj kjo është përmend”, ka thënë Abrashi.

Ndërsa nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u shpreh se fundi i janarit është koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Meqenëse ishte takim konsultativ preliminar, shpreha qëndrimin – që tashmë edhe kryetari në detyrë, Z. Enver Hoxhaj e ka shprehur e edhe PDK-ja përmes komunikatës – që ne presim që data e zgjedhjeve të shpallet sa më shpejt që të jetë e mundur brenda atij harku kohor që tashmë e mundëson edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Besojmë që fundi i janarit është datë e përshtatshme. Presim që Gjykata Kushtetuese sa më parë ta publikojë aktgjykimin e plotë, në mënyrë që ai të jetë i plotfuqishëm dhe besojmë që është e domosdoshme që të mos humbet kohë”, ka thënë Krasniqi.

Ai përmendi edhe mandatin e ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osamani i cili përfundon më 5 maj. Për shkak të kësaj, Krasniqi ka thënë se PDK-ja dhe partitë tjera duhet të merren vesh për një datë sa më të hershme për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ka paqartësi të cilat mund të na fusin në situata të komplikuara kushtetuse, nëse nuk përmbushen disa afate, si për shembull, përfundimi i mandatit të ushtrueses së detyrës më 5 maj, e ku nuk ka asnjë qartësi kushtetuse se çfarë ndodh pastaj dhe nëse deri atëherë nuk ka funksionim normal të institucioneve me president, me Kuvned e Qeveri, rreziku është që të kemi një situatë të papërjetuar më parë në kuprimin e krizës potenciale kushtetuse. Për këtë dhe për arsye tjera, Partia Demokratike e Kosovës është e mendimit që të gjithë duhet të pajtohemi për një datë sa më të hershme brenda asaj që tashmë e ka përcaktuar aktgjykimi”, u shpreh Krasniqi pas takimit me Osmanin në Presidencë.

Datë të mundshme për zgjedhjet nuk pati sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri. Ai vetëm e ka përmendur afatin kushtetues dhe datën e përfundimit të mandatit të Osmanit në ushtrimin e detyrës së presidentit.

“Ne diskutuam afatet kohore kushtetuese të cilat ndërlidhen me afatin që e ka dhënë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por njëkohësisht edhe ajo që dihet saktësisht se 5 maji është data kur skadon edhe mandati i ushtrueses së detyrës, por presidentja u zotua se do të ketë konsultime të gjata me të gjitha partitë dhe pastaj të caktohet një datë që do të jetë në kornizën e këtyre afateve”, ka thënë Tahiri.

Endrit Shala nga Nisma e propozoi fillimin e shkurtit si kohë ideale për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Në të gjitha parashikimet, fillimi i shkurtit do të ishte data ideale për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës”, ka thënë Shala.

Këshilltari i Behgjet Pacollit nga Aleanca Kosova e Re, Jetlir Zyberaj tha se ishin pajtuar që zgjedhjet të caktohen për një datë sa më të hershme, ndërsa tha se kjo datë mund të jetë në fund të janarit ose në fillim të shkurtit.

“Ne u pajtuam bashkërisht që data e zgjedhjeve të caktohet në një datë sa më të shpejtë të mundshme, në mënyrë që edhe krizat e mundshme kushtetuese të evitohen… Unë besoj që pas marrjes së aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese do të caktohet një datë e cila do të jetë fundi i janarit ose fillimi i shkurtit”, ka thënë Zyberaj.

Por, organi për organizimin dhe implementimin e zgjedhjeve në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka kërkuar që Presidenca ta shfrytëzojë në maksimum afatin për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë të hënën se kjo kërkesë vjen si nevojë që zgjedhjet të organizohen në mënyrë sa të suksesshme, derisa organizimin e tyre e ka quajtur si shumë sfidues.

Ajo tha se Presidenca duhet t’i ketë parasysh festat e fundvitit dhe se të gjitha institucionet do të jenë në pushim gjatë kësaj kohe.

“Pas situatës së krijuar pas aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, ne jemi të vetëdijshëm që zgjedhjet janë të pashmangshme. Ne do ta presim datën e shpalljes së zgjedhjeve, por kisha dashur t’u vihet parasysh institucioneve relevante që të shfrytëzohet afati maksimal kushtetues i dhënë për datën e shpalljes së zgjedhjeve, sepse kemi festat shtetërore para nesh. Ne ende nuk e kemi një buxhet të alokuar, as të aprovuar me sa e di unë, kështu që do të jetë goxha e sfidueshme gjithë kjo situatë, sidomos për faktin që jemi në prag të festave kur e dimë që asnjë institucion praktikisht nuk punon dhe ne do të mbetemi i vetmi institucion, i cili do të jetë në detyrë në ditët në vijim”, ka thënë Daka.

Ajo kërkoi nga Presidenca që t’i marrë parasysh këto fakte, duke paralajmëruar se mund të rrezikohet mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve në rast se data për mbajtjen e tyre do të caktohet të jetë afër.

“Pra, unë kisha kërkuar nga institucionet relevante, në dorën e të cilëve është të vendoset, që të kenë parasysh këto fakte e sidomos faktin që KQZ është një institucion i pavarur i cili deri më tani ka organizuar një numër të madh të zgjedhjeve në mënyrë jashtëzakonisht të suksesshme dhe nuk kisha pasur dëshirë që për shkak të afateve jashtëzakonisht të shkurtra të sfidohemi duke i pasur parasysh të gjitha ato”, ka thënë Daka.

Qytetarët e Kosovës do të duhet të dalin në zgjedhje për herë të dytë brenda një viti e gjysmë. Kështu ka urdhëruar Gjykata Kushtetuese mbrëmjen e të hënës së kaluar, përmes një aktgjykimi. Kjo gjykatë ka gjetur parregullsi në votimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, i cili e mori detyrën e kryeministrit në qershor. Zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpallja e tyre nga Presidenti, pozitë që përkohësisht po ushtrohet nga Vjosa Osmani.

Çështja ishte ngritue për shqyrtim në Kushteuese nga një grup deputetësh nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila sfidoi legjitimitetin e mandatit të Etem Arifit, deputet nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim. Arifi u dënua përfundimisht për mashtrim me 15 muaj burgim në gusht të vitit të kaluar, për t’u zgjedhur si deputet një muaj e gjysmë më vonë.

Gjykata e shpalli të paligjshëm mandatin e Arifit dhe kësisoj, e vlerësoi si kundërkushtetuese formimin e Qeverisë, për zgjedhjen e së cilës vota e Arifit ishte determinuese.

(Kosova Sot Online )