10 konfliktet që do të na shoqërojnë më 2021

  • G.G /
  • 31 December 2020 - 08:59
10 konfliktet që do të na shoqërojnë më 2021

Pasojat e politikave të sivjetme nuk do t’i ndahen botës as vitin e ardhshëm: pandemia që po vazhdon, kriza ekonomike, presidenca përçarëse e Donald Trumpit dhe kërcënimet e reja që burojnë prej luftërave, e deri tek ndryshimet klimatike, shkruan në analizën e Robert Malleyt, drejtor ekzekutiv i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Dhe nëse do të kishte një garë për kryezhvillimin e vitit 2020, duke pasur parasysh implikimet më serioze për sigurinë dhe paqen botërore, konkurrenca do të ishte fort e ashpër, vlerëson Malley, i cili kishte shërbyer edhe si asistent i posaçëm për Lindje të Mesme në administratën e presidentit Barack Obama.

Në analizën e tij për revistën “Foreign Policy”, Malley ka listuar krizat më të mëdha që sfiduan sivjet botën, por edhe ndikimin që kanë pasur. Ai konsideron se 2020-a do të mbahet mend si vit i zhvillimeve të shumta me përmasa botërore, duke nisur prej pandemisë së koronavirusit, administratës përçarëse të Trumpit, zgjedhjes së Joe Bidenit president të SHBA-së, deri te konflikti i Nagorno Karabahut dhe konflikti shkatërrimtar në Tigrej të Etiopisë.

Bota do të përballet me shumë konflikte edhe më 2021, për shkak të mënyrës së menaxhimit të krizave gjatë vitit që po e lëmë pas. Lista prej dhjetë konflikteve që nuk do të marrë fund edhe vitin e ardhshëm ka nisur prej fundit.

Afganistani

Pavarësisht avancimeve domethënëse në bisedimet paqësore, shumë gjëra mund të shkojnë edhe më keq në Afganistan më 2021. Pas dy dekadash me luftime, Qeveria amerikane arriti marrëveshje me kryengritësit talebanë në shkurt. SHBA-ja u zotua se do të tërhiqte trupat nga Afganistani në këmbim të zotimeve të talebanëve për të mos lejuar terroristët për ta përdorur territorin afgan për operacione dhe për të nisur diskutimet me Qeverinë afgane. Gjithçka mund të ndryshojë me ardhjen e Bidenit në krye të Shtëpisë së Bardhë.

“Tërheqja e ngutshme amerikane do të mund të destabilizonte Qeverinë afgane dhe potencialisht të shpinte drejt një lufte civile të gjerë shumëpalëshe”, thuhet në analizën e Malleyit, duke paralajmëruar se edhe tërheqja nga diskutimet me talebanët do të mund të nxiste acarim të talebanëve, të cilët do të mund të përshkallëzonin sulmet e provokimet. Ai paralajmëron se nuk duhet të lejohet që viti 2021 të shndërrohet në mundësi të humbur për të arritur paqe të qëndrueshme.

Etiopia

Shteti afrikan po përballet me përplasje të ashpra, për shkak se Qeveria qendrore e Etiopisë ka ndërmarrë fushatë të ashpër ushtarake kundër kryengritësve në rajonin Tigraj. Dhe në këtë kohë kur nuk ka burime të pavarura informimi, bota nuk ka një pasqyrë të qartë të gjendjes në terren. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën se po kryejnë krime kundër njerëzimit.

Saheli

Malley druan se në mot rajoni mund të ketë sfida edhe më serioze, për shkak të mundësisë së përshkallëzimit të konfliktit në Sahel.

“Folur gjerësisht, përpjekjet eventuale kërkojnë përfshirje të aktorëve shtetërorë dhe të tjerë për t’u përqendruar në ndërmjetësim të konflikteve, me qëllim që të diskutohet edhe me militantët kur është e domosdoshme që të kthehet autoriteti shtetëror”, ka shkruar ai.

Jemeni

Lufta e Jemenit ka shkaktuar atë që Kombet e Bashkuara e konsiderojnë krizën më të madhe humanitare në mbarë botën. Pandemia e koronavirusit vetëm sa e ka rënduar gjendjen. Qytetarët e pafajshëm po vuajnë për bukë dhe prej sëmundjeve të tjera. Zyrtarët druajnë se uria do të kthehet në vuajtje më të madhe se vetë lufta për jemenasit.

“Mungesa e një diskursi për përmirësim të gjendjes do të bëjë që 2021-ta të jetë viti tjetër i zymtë për jemenasit, me luftën që po vazhdon, dhe sëmundjet e urinë që po përhapen. Po zbehen gjasat për marrëveshje dhe miliona jemenas do të vuajnë edhe më shumë prej sëmundjeve dhe urisë ditë për ditë”, shkruan Malley.

Venezuela

Ka pothuajse dy vjet që Venezuela është thelluar në krizë derisa vendi, shtetet e Amerikës Latine dhe Shtetet e Bashkuara nuk ia dolën të vinin rend. Nuk bëri presion as fushata e presionit maksimal, sikurse u quajt nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qindra mijëra qytetarë vazhduan edhe në pandemi të largoheshin nga vendi si pasojë e krizës së madhe ekonomike. Malley vlerëson se shpresat e vetme janë zgjedhjet e shkurtit kur qytetarët e shtetit latin do të zgjedhin presidentin, megjithëse ka pak gjasa se do të ketë zgjedhje të lira e të drejta. Andaj Malley paralajmëron thellim të krizës në Venezuelë.

Somalia

Somalia nuk po arrin të gjejë paqen për dekada me radhë. Vendi ka shtyrë planin për zgjedhje parlamentare në dhjetor, dhe tani mbetet të shihet nëse zgjedhjet do të mbahen bashkë me presidencialet në fund të dimrit. Vendi po përballet me ngritje të aktiviteteve terroriste të grupit “Al-Shabab”. Dhe analistët lokalë mendojnë se nëse palët nuk ndjekin diskurs pajtues, vendi rrezikon të zhytet në luftë civile më të rëndë.

Libia

Fraksionet militante në Libi nuk po luftojnë ndërmjet vete, dhe OKB-ja ka nisur negociatat për ribashkimin e vendit. Por kjo do të jetë një betejë e vështirë duke pasur parasysh përplasjet e brendshme dhe fërkimet e jashtme, me disa shtete që kanë interesa të ndryshme në shtetin e Afrikës Veriore. “Nuk duket se do të ketë luftime të reja derisa aktorët e jashtëm të mos provojnë që të shkojnë përtej fushatës së tyre për ta shtrirë ndikimin pa ringjallur armiqësitë”, shkruan Malley, duke paralajmëruar njëherësh për sfidat e unifikimit të vendit.

Irani-Shtetet e Bashkuara

Administrata e Trumpit acaroi raportet me Iranin pas tërheqjes nga marrëveshja ndërkombëtare për programin atomik të Republikës Islamike. Zgjedhja e presidentit Joe Biden ka ngjallur shpresën se mund të ketë afrim të qëndrimeve të palëve, por në analizën e revistës “Foreign Policy” thuhet se edhe nëse adresohen çështjet e programit bërthamor, Irani do të përbëjë sfidë për shkak të tensioneve dhe polarizimeve në rajon. Andaj i kërkohet Bidenit që të shfrytëzojë krejt ndikimin e mundshëm në Lindje të Mesme për të shmangur shpërthimin e ndonjë konflikti rajonal.

Turqia-Rusia

Turqia dhe Rusia nuk janë në luftë, por kanë pasur telashe e përplasje për shkak të mbështetjes së palëve të kundërta në luftën civile në Siri e Libi. Njëherësh po mundohen që të shtrijnë ndikimin në rajonin e Kaukazit. Megjithëse arritën gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e konfliktit të Nagorno-Karabahut ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, vendosja e trupave të tyre në fronte të armiqësuara në vende tjera mund të jetë një shkëndijë zjarri të mundshëm. Malley thekson se përshkallëzimi i raporteve ndërmjet Rusisë dhe Turqisë mund të ndikojë në zona lufte gjetkë.

Ndryshimi klimatik

Në listën e Malleyt kryeson sfida që përbën ndryshimin klimatik. Madje ai konsideron se edhe luftërat e ardhshme do të jenë të ndërlidhura me gjendjen mjedisore. Presidenti Biden është zotuar se do t’i kthehet Marrëveshjes së Parisit për Klimën. Shkencëtarët kanë paralajmëruar se fuqitë botërore duhet të dalin me qëndrim të përbashkët për ta shpëtuar mjedisin. Malley e sheh ardhjen e demokratit Biden në krye të Shtëpisë së Bardhë si shenjë optimizmi. Bideni e ka top prioritet agjendën e ndryshimit klimatik. Ai mendon se duhet të ketë koordinim të shteteve të zhvilluara për t’i ndihmuar shtetet në zhvillim dhe vendet e varfra për të ndjekur agjenda që kujdesen për ndikimin e ekonomisë në mjedis. Malley vlerëson se varësia e madhe prej energjisë së fosileve ka shkaktuar krizën mjedisore.

(Kosova Sot Online)