Arrijnë në QKUK, kjo është gjendja e të lënduarve në shpërthimin në Ferizaj

  • A.P /
  • 05 January 2021 - 16:15
Arrijnë në QKUK, kjo është gjendja e të lënduarve në shpërthimin në Ferizaj

Një bombol e gazit ka shpërthyer sot në një restorant në Ferizaj, ku si pasojë dhjetëra persona janë lënduar.

8 persona janë referuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak të gjendjes më të rëndë shëndetësore.

Drejtori i Klinikës së Emergjencës, Basri Lenjani, ka thënë, se deri tani në klinikë kanë ardhur tre persona, ndërsa edhe 5 persona tjerë janë rrugës për në klinikë.

Ai ka thënë se gjendja e këtyre 3 pacientëve është më e rëndë, për shkak të djegjeve që kanë pësuar.

“8 persona janë referuar nga Spitali i Ferizajit për te ne. Deri tani 3 persona kanë mbërritur në klinikë, ndërsa 5 persona janë në ardhje. Ndërsa, 12 persona janë të shtrirë në Spitalin e Ferizajit për shkak se janë në gjendje më të mirë shëndetësore. 3 pacientët që kanë ardhur janë me djegie të shkallës së dytë, janë në gjendje më të rëndë shëndetësore”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Spitalit të Ferizajit, Jeton Zeqiri, ka thënë se 24 pacientë kanë kërkuar trajtim në këtë spital si pasojë e shpërthimit që ka ndodhur.

Ai ka thënë se 4 prej pacientëve të cilët janë dërguar në QKUK janë në gjendje më të rëndë shëndetësore për shkak të djegieve që kanë pësuar.

“24 pacientë kanë ardhur në spital për shkak të shpërthimit të një bombole. 8 prej tyre janë dërguar në QKUK me djegie të shkallës së rëndë, 4 prej tyre në bazë të ekzaminimit janë shumë të rrezikuar për jete, ndërsa 12 pacientë janë duke u trajtuar në spital. Ne jemi mobilizuar menjëherë për trajtimin e këtyre pacientëve”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)